PD-ja mbushi 20 vjet, Agani thotë se kontribuuan në çdo etapë të shtetësisë së Kosovës
Partia e Drejtësisë (PD) ka shënuar të dielën 20-vjetorin e themelimit. Me këtë rast u tha se përgjatë këtyre dy dekadave kjo parti u përpoq ta trasojë rrugën e qeverisjes së drejtë të mbështetur në standardet më të larta etike dhe morale në politikë si parakusht themelor për mirëqenien e shtetit dhe qytetarëve.
Kryetari i PD-së, Ferid Agani, ka thënë se subjekti që ai drejton i ofroi skenës politike të Kosovës një koncept të mirëfilltë qeverisës si alternativë me vlerë në të gjitha proceset me rëndësi për shtetndërtimin e vendit.
“Jemi mbledhur sot që ta shënojmë 20-vjetorin e themelimit të Partisë së Drejtësisë, subjektit politik që skenës politike kosovare ia ofroi konceptin qeverisës të qendrës, si alternativë me vlerë në të gjitha proceset me rëndësi për shtetndërtimin e vendit. Me programin e saj që në vete integron parimet e demokracisë progresive, konservatore, socialliberalizmit dhe socialdemokracisë, PD-ja ua ofroi qytetarëve të Republikës së Kosovës mundësinë e përcaktimit për alternativën integruese politike”, ka thënë Agani.
Në këtë manifestim morën pjesë edhe përfaqësues të Nismës Socialdemokrate dhe të Aleancës Kosova e Re. (EO)