PD-ja me statut të ri. Basha edhe kryetari i grupit parlamentar të PD-së
Partia Demokratike e Shqipërisë ka një statut të ri në fuqi nga sot.
Kuvendi i PD-së së Lulzim Bashës me pjesëmarrjen e 4254 delegatëve miratoi ndryshimet në funksionimin e kësaj force politike.
Konfliktet e Lulzim Bashës janë reflektuar në ndryshime statutore.
Basha ka përqendruar pushtetin në duart e tij, ku nuk do të jetë vetëm kryetar i partisë por edhe kryetar i grupit parlamentar.
“Pa qëndresën e anëtarëve dhe drejtuesve nga seksioni deri te kryesia e PD-së ne nuk do të ishim sot këtu për të ndërtuar të ardhmen, që t’ju shërbejmë njerëzve, që të hapen vende pune për të rinjtë tanë, që të rriten të ardhurat për familjet shqiptare, që ato të kenë arsim dhe shëndetësi më të mirë”, ka thënë Basha.
Ai ka theksuar se sot nisën të ndërtojnë Partinë Demokratike moderne. “Për këtë nisim sot të ndërtojmë Partinë Demokratike moderne, partinë e qytetarëve dhe anëtarëve dhe jo partinë e kryetarit. Sepse kryetarët ikin e vijnë, por demokratët dhe Partia Demokratike do të jetë aty për të luftuar vetëm për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve! Mirënjohje për secilin prej tyre!”, ka theksuar Basha.