
PD-ja në Vushtrri prish koalicionin me Xhafer Tahirin, mbështet Ferit Idrizin
Dega e Partisë së Drejtësisë (PD) në Vushtrri i ka dhënë fund koalicionit me Xhafer Tahirin e LDK-së në garën për kryetar të kësaj komune.
Kjo parti ka marrë vendim që në raundin e dytë të zgjedhjeve të 14 nëntorit ta mbështet kandidatin e PDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Ferit Idrizi.
Lajmin e ka bërë me dije Eroll Venhari nga PD-ja.
“Pas konsultimit me të gjitha strukturat dhe anëtarësinë tonë, Partia e Drejtësisë (PD), Dega në Vushtrri, kemi marrë vendim që ta braktisim koalicionin me Xhafer Tahirin, që kishim në raundin e parë dhe në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të Komunës së Vushtrrisë të mbështesim kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, z. Ferit Idrizi. Përmes kësaj deklarate, Kryesia e Partisë së Drejtësisë PD – Dega në Vushtrri, konfirmon vullnetin e gjithë anëtarësisë së saj për mbështetje të fuqishme për z. Ferit Idrizi, për kryetar të Komunës së Vushtrrisë! Për PD-në, Dega në Vushtrri nga sot z. Idrizi është kandidat edhe i Partisë së Drejtësisë, me bindjen se më datën 14 nëntor do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve të Vushtrrisë. Vota e çdo anëtari të Partisë së Drejtësisë, Dega në Vushtrri, nga sot konfirmon rreshtim të vullnetshëm të elektoratit të saj për mbështetje të plotë të z. Ferit Idrizi, i cili me datë 14 nëntor 2021, përmes verdiktit të popullit do të jetë kryetar i Komunës së Vushtrrisë”, ka shkruar Venhari në llogarinë e vet në “Facebook”.