PD-ja reagon për mosnjohjen e dekretit të presidentit Meta nga KQZ-ja

10 qershor 2019 | 16:25

Militantë të Partisë Socialiste (PS), i ka cilësuar sekretari i përgjithshëm të Partisë Demokratike (PD), Gazmend Bardhi, katër anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të cilët kanë vendosur për vazhdimin e procedurave normale për zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor, duke mos marrë parasysh vendimin e presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve.

Reagimi i plotë i Gazmend Bardhit:

Mos u habisni! Mos u skandalizoni nga shpërdorimi i turpshëm që po i bëjnë detyrës disa anëtarë militantë të PS në KQZ!

Këta që marrin përsipër të shqyrtojnë dhe të refuzojnë një dekret presidencial, janë ekzaktësisht të njëjtët militantë që pohuan përpara Gjykatës Kushtetuese se Kushtetuta mund të ndryshohet edhe me vendim qeverie.

Po të njëjtët, sot, thonë se Dekreti i Presidentit të Republikës shpallet i pavlefshëm me vendim të degës së Partisë Socialiste në KQZ!

Në shtetin e ndërtuar nga Edi Rama nuk ka nevojë as për president të Republikës, as për Gjykatë Kushtetuese, as për Gjykatë të Lartë, as për Prokuror të Përgjithshëm, as për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Në shtetin e Edi Ramës, të ndërtuar sipas modelit orwellian të “Fermës së Kafshëve”, mjafton vetëm Partia Socialiste dhe Edi Rama!

Kjo është e papranueshme dhe shqiptarët nuk kanë për ta pranuar kurrë! “Edi Rama mirë, gjithë të tjerët keq” ka marrë fund që më 16 shkurt! /Top Channel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe në Dusseldorf është promovuar “Libri i luftës” i autorit,…