PD-ja shkarkon Lulzim Bashën si anëtar në asamblenë e KiE, e zëvendëson Albana Vokshi
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka njoftuar disa ndryshime të deputetëve në delegacionet e përhershme ndërkombëtare në sesionin e ri parlamentar.
Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka vendosur që Lulzim Basha të mos jetë më në delegacionin e Këshillit të Evropës.
Ai do të zëvendësohet nga Albana Vokshi.
Basha është hequr nga pozicioni si raporter për konfiskimin e aseteve ruse dhe përdorimin e tyre për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës.
Gjithashtu Bardhi ka vendosur të ndryshojë vendet e deputetëve të opozitës.
Basha është spostuar në fund të sallës dhe në vendin kur dikur ulej ish-kryetari i PD-së, dhe në vend të tij është caktuar Bledjon Nallbani.
Në sesionin e kaluar, Basha ishte ulur shumë pranë Bardhit, ndërsa tashmë është pranë Oriola Pampurit dhe Flutura Açkës.
Bëhet me dije se ndryshimet e vendeve të deputetëve kanë ardhur pas një shkrese që Bardhi i ka dërguar Kuvendit në fund të korrikut.
Shkresa drejtuar Kuvendit:
Lënda: Kërkesë për ripërcaktimin e vendeve të grupeve parlamentare në sallën e Kuvendit
Drejtuar: Znj. Lindita NIKOLLA Kryetare e Kuvendit
E nderuar znj. Kryetare,
Në përputhje me pikën 3 të nenit 16 të Rregullores së Kuvendit, kërkoj që rreshtat 1-7 të sallës së seancave plenare të jenë në dispozicion të anëtarëve të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Ndërkohë që rreshtat 8-9 të jenë në dispozicion të deputetëve të tjerë të dy grupeve të tjera parlamentare të opozitës, si dhe deputetëve të tjerë jashtë grupeve parlamentare, të cilët mund të ndryshojnë përzgjedhin vendin e tyre në sallë në këto rreshta të dedikuar atyre.
Për këtë arsye, lutemi gjeni bashkëlidhur vendet e secilit deputet (ndryshimet përkatëse) në sallën e seancave plenare, duke kërkuar që të merren masat për ripërcaktimin e vendeve duke nisur nga seanca plenare e datës 25 Korrik 2024.
Duke ju falënderuar për mirëkuptimin,
GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE KRYETARI
Gazment BARDHI