PD kundër shtyrjes së gjendjes së jashtëzakonshme
Partia Demokratike e Shqipërisë në një deklaratë për mediet bëri të ditur sot se me zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme edhe për 3 muaj të tjerë, qeveria nuk iu shërben qytetarëve të prekur nga tërmeti, por synon të pengojë Reformën Zgjedhore dhe zgjidhjen e krizës politike.
“Për një qeveri, e cila nuk ka si prioritet përfitimet politike dhe financiare nga fatkeqësia e mijëra njerëzve, 30 ditë janë të mjaftueshme për t’u rikthyer qytetarëve sigurinë për banesat, për të bërë planin për strehimin e përkohshëm të të gjithë të prekurve dhe planin për rindërtimin e banesave, shkollave dhe spitaleve të dëmtuar”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu PD akuzon kryeministrin Rama se, shtyn afatin për “show”, jo për të përfituar të dëmtuarit nga tërmeti.
“Duke shtyrë edhe me 3 muaj gjendjen e jashtëzakonshme, Edi Rama synon të pengojë implementimin e Reformës Zgjedhore dhe zgjidhjen e krizës politike, siç Bundestagu kërkon, përmes zgjedhjeve të parakohshme, të përgjithshme dhe vendore, pasi Kushtetuta i ndalon ato, për sa kohë vendi është në një situatë të tillë”, theksohet në deklaratë./ATSH/