PDK dënon djegien e veturave në Zveçan, kërkon që kryetarit e zyrtarëve komunalë t’u ofrohet mbrojtje
Partia Demokratike e Kosovës ka dënuar ashpër aktin e mbrëmshëm kriminal të djegies së dy veturave zyrtare të Komunës së Zveçanit në vendparkimin e objektit të komunës, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Përmes një komunikate për media, PDK u bën thirrje institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë ta hetojnë dhe ta zbardhin sa më parë këtë rast, si dhe të angazhohen në parandalimin e akteve të tilla të mundshme.
“Rritja e interesimit të qytetarëve serbë që jetojnë në Komunën e Zveçanit për të drejtuar dhe shprehur nevojat e tyre ndaj komunës, si duket po i pengon grupet kriminale. Kryetari i komunës, Ilir Peci dhe ekipi i tij mbeten të përkushtuar në kryerjen e detyrave dhe obligimeve të tyre në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim”, thuhet në reagim.
Tutje PDK-ja kërkon nga organet e rendit t’i ofrojnë mbrojtje dhe të garantojnë sigurinë e kryetarit dhe zyrtarëve tjerë të Komunës së Zveçanit.
Ndryshe, dy vetura që janë në pronësi të Komunës së Zveçanit janë përfshirë nga zjarri në orët e para të ditës së sotme.
Sipas zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, dyshohet se rasti ka të bëjë me zjarrvënie.
Lidhur me këtë është deklaruar edhe kryetari i Komunës, Ilir Peci, i cili ka thënë se ndihet i rrezikuar dhe se për këtë ka kërkuar mbrojtje të afërt nga Policia e Kosovës.
Peci është shprehur se kërkesa e tij është refuzuar dhe sipas tij, kjo është bërë për shkak se vjen nga një parti tjetër.
“Një grup kriminal qe dyshohet se janë 3-4 persona dyshohet se kane djegur veturat, kjo për faktin se është shtuar numri i shërbimeve te qytetareve nga komuniteti serb por edhe dëgjimet publike që janë. Unë ndihem i rrezikuar dhe vazhdimisht kam kërkuar mbrojtje të afërt nga Policia e Kosovës, por që kjo më është refuzuar dhe mendoi se përkundër që ka bazë një kërkese e tillë, e njëjta është refuzuar për shkak se vij nga një parti tjetër”, ka thënë ai për tëvë1.