PDK dënon sulmin terrorist, të riparohen dëmet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë
Partia Demokratike të Kosovës ka dënuar sulmin terrorist që ka dëmtuar kanalin e Ibër Lepencit.
Sipas PDK, ky sulm ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, pas dy sulmeve të tjera me granata ndaj institucioneve komunale në Zveçan gjatë ditëve të fundit, tregon për një sulm të organizuar ndaj Kosovës dhe kërkon angazhimin maksimal të të gjitha institucioneve shtetërore.
PDK kërkon riparim të dëmeve, rikthim të normalitetit për qytetarë dhe hetim, zbulim dhe dënim maksimal të të gjithë të përfshirëve në të.
Reagimi i plotë i Partisë Demokratike të Kosovës:
Partia Demokratike e Kosovës dënon ashpër sulmin terrorist që ka dëmtuar kanalin e Ibër Lepencit, gjë që ka shkaktuar pasoja të rënda për furnizimin me ujë të qytetarëve në rajonin e Mitrovicës dhe më gjërë. Ky sulm ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, pas dy sulmeve të tjera me granata ndaj institucioneve komunale në Zveçan gjatë ditëve të fundit, tregon për një sulm të organizuar ndaj Kosovës dhe kërkon angazhimin maksimal të të gjitha institucioneve shtetërore.
Sot për sot, prioriteti kryesor është kthimi i normalitetit për qytetarë. Riparimi i të gjitha dëmeve, rikthimi i furnizimit me ujë dhe sigurimi i të gjithë infrastrukturës kritike kudo në Kosovë, ashtu që akte të tilla të mos ndodhin më.
Ky sulm kërkon hetim, zbulim dhe dënim maksimal të të gjithë të përfshirëve në të. Kërkon mobilizim të të gjitha organeve të sigurisë dhe të drejtësisë të vendit tonë, që krahas sigurimit të infrastrukturës kritike, të zbardhin sa më parë rastin dhe t’u japin përgjigje pyetjeve të shumta të cilat sot shqetësojnë secilin qytetar të vendit tonë. Qytetarët sot kanë nevojë për transaprencë, informim dhe llogaridhënie.
Me këtë rast, i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të dënojë rëndë këto veprime, të ushtrojë presion ndaj Serbisë dhe të ndihmojë në zbulimin e këtij akti që cënon sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm të Kosovës, por të mbarë Ballkanit Perëndimor.
Mirënjohje të veçantë ndaj të gjitha mediave për raportimin e tyre të ndershëm dhe të guximshëm. Në këtë moment, gazetarët meritojnë mbështetjen e secilit për të informuar të pavarur dhe pa presion.
Partia Demokratike e Kosovës rikonfirmon përkushtimin e saj të parezevervë për sigurinë, stabilitetin dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim.