PDK-ja: 900 ditë të qeverisë Kurti kanë prodhuar vetëm skandale
Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bernard Nikaj dhe avokati Faton Fetahu, kanë denoncuar shkeljen e shtatë kushtetuese të qeverisë Kurti, me ç’rast është shpallur antikushtetues Ligji për zyrtarët publikë.
Nikaj në një konferencë për medie, ka thënë se në këto 900 ditë të qeverisjes, qeveria Kurti është karakterizuar vetëm me skandale, afera korruptive, kapje të institucioneve, dhe stagnim e degradim të politikës së jashtme.
“Gjatë këtyre 900 ditëve, fatkeqësisht, qeveria është marrë shumë pak me qeverisje dhe është marrë tejet shumë me sulme kundër rendit kushtetues të vendit tonë. Siç e dini, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dje e ka shpallur antikushtetues Ligjin për zyrtarët publikë, pas kërkesës së grupit parlamentar të PDK-së për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji. Ndonëse shkeljet e pushtetarëve tashmë janë me qindra e po shtohen për çdo ditë, për të shtatën herë më radhë, ky vendim konfirmon veprimtarinë dhe aktivitetin antikushtetues të qeverisë së Albin Kurtit, e karakterizuar për skandale, afera korruptive, kapje të institucioneve, dhe stagnim e degradim të politikës së jashtme”, ka thënë Nikaj.
Sipas Nikajt, në vend se të ketë reflektim, llogaridhënie dhe marrje të përgjegjësisë për këto shkelje të vazhdueshme, po shihet vetëm një kryeneçësi të Qeverisë për të mbrojtur veprimet e saj joligjore.
Ndërsa avokati Faton Fetahu, ka thënë se ka prova të bollshme se sfidimi i sistemit kushtetues është veprimtaria më e suksesshme e pushtetit të Albin Kurtit, të cilin fatmirësisht, deputetët e grupit parlamentar të PDK-së janë duke e parandaluar.
“Për shkak të përvojës relativisht të gjatë në procese kushtetuese, kam pasur fatin që të angazhohem në kapacitetin profesional në betejat kushtetuese që janë zhvilluar viteve të fundit, dhe të cilat, padyshim përbëjnë jo vetëm raste studimore për katedrat e drejtësisë kushtetuese, por paraqesin njëkohësisht edhe apetitet abuzive për pushtet të pakufizuar të bartësve të jetës institucionale të kësaj qeverie, si në mandatin e parë, ashtu edhe tani, në mandatin e dytë”, ka thënë Fetahu, duke shtuar se PDK-ja nuk do të ndalet së angazhuari për të mos lejuar diktaturë dhe për të mos cenuar rendin demokratik në vendin tonë.
“Si avokat dhe si përfaqësues i autorizuar i grupit parlamentar të PDK-së, ndihem i kënaqur dhe i lehtësuar kur shoh vullnetin e plotë të deputetëve për t’i qëndruar besnik betimit që ata e kanë dhënë për të mbrojtur Kushtetutën dhe vlerat e saj”, ka thënë Fetahu.