PDK-ja: Aktivistë të Vetëvendosjes sulmojnë veprimtarin e PDK-së në Ferizaj (Foto)
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Ferizaj ka bërë me dije se të shtunën e kaluar aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj, sulmuan aktivistin e devotshëm politik të kësaj partie në Ferizaj dhe humanistin Jakup Sabedini.
“Dhuna është e papranueshme kudo që ndodh e ndaj kujtdo që ndodh! Fatkeqësisht, të shtunën, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj, sulmuan aktivistin e devotshëm politik të Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj dhe humanistin shembull të qytetit tonë, Jakup Sabedini, me ç’rast ky i fundit ka pësuar lëndime të rënda trupore, ku ofrimi i shërbimeve urgjente mjekësore ishte i pashmangshëm. Rasti është raportuar menjëherë tek organet e sigurisë, porse deri më tani, nuk ka asnjë veprim që do ta ndriçonte rastin në plotni”, është thënë në reagimin e PDK-së në Ferizaj.
“Kryesia e degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj, përmes këtij reagimi, dënon fuqishëm këtë akt të dhunës të motivuar politikisht dhe fton organet e drejtësisë dhe ato të sigurisë ta ndriçojnë këtë rast dhe të mbajnë përgjegjës kryesit deri në dënimin meritor. Shembujt e tillë ku spiralja e dhunës shtrihet mbi aktivistët politik dhe humanistët e dalluar, thyejnë rëndë besimin e qytetarëve në forcat politike dhe humbin përfundimisht parametrat e një gare e pjesëmarrje të ndershme në subjektet e aktivitetet politike”, është thënë në këtë reagim.
Dega e PDK-së në Ferizaj, ka bërë me dije se aktivisti Sabedini, ishte i anëtar i shtabit zgjedhor lokal në PDK-në e Ferizajt, në zgjedhjet e 6 tetorit. “Motiv ky që nxiti sulmin ndaj tij nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje! e si rrjedhojë, kërcënimet e tilla kanë ndodhur për një interval të konsiderueshëm kohor”, është thënë ndër të tjera në reagimin e degës së PDK-së në Ferizaj.
/Epoka e re/