PDK-ja denoncon korrupsionin e LV-së: Po përfiton nga tenderët në kohën e pandemisë

20 prill 2020 | 15:12

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në një reagim për medie ka thënë se dënon keqpërdorimet e mëdha financiare dhe abuzimet me pushtetin që po kryhen nga Lëvizja Vetëvendosje nën mbulimin e masave kundër koronavirusit.

“Veprimet e fundit të ndërmarrë nga Lëvizja Vetëvendosje në kuadër të qeverisjes së Komunës së Prizrenit janë qartazi shkelje ligjore që kërkojnë angazhimin e menjëhershëm të prokurorisë së shtetit për t’i hetuar për korrupsion e keqpërdorim. Ditëve të fundit është publikuar nga Komuna e Prizrenit e qeverisur nga Lëvizja Vetëvendosje, tenderi ‘Furnizim me material shpenzues sanitar për nevojat e shërbimeve shëndetësore për mbrojtje nga Korona virusi në komunën e Prizrenit’ në shumën prej 102.040 euro”, ka reaguar PDK-ja.

Sipas këtij reagimi, në këtë kontratë, duket qartë që çmimet janë shumë herë më të larta se çmimet normale që ekzistojnë në tregun e lirë sot, si dhe krahasuar me çmimet e të njëjtave produkte të kontratave të lidhura deri më tani nga Ministria e Shëndetësisë dhe komunat tjera në Kosovë.

“Ajo që e bën këtë kontratë edhe më të dyshimtë dhe shkeljen edhe më flagrante, është fakti që këtë tender e ka fituar kompania ‘EKA TRADEING’ SH.P.K.  e cila ka një fushë-veprimtarie që nuk lidhet me materialet që përfshihen në këtë tender dhe është themeluar vitin e kaluar. Po ashtu, është veçanërisht e ulët që kjo përpjekje korruptive është bërë duke abuzuar me një çështje kaq të rëndësishme për qytetarët sikurse është shëndeti dhe po bëhet pikërisht në një periudhë emergjente të luftës kundër koronavirusit”,.

Ky veprim korruptiv nuk është aspak një rast i veçuar, përkundrazi, është dëshmi e një tradite të mbushur me korrupsion, abuzim e keqpërdorim që Lëvizja Vetëvendosje ka  ndërtuar në komunën e Prizrenit. Në këto vite, kryetari i Komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka, i cili i përket partisë Lëvizja Vetëvendosje e ka zhytur komunën në nepotizëm, krim e korrupsion. Partia që drejton Prizrenin e ka inkriminuar komunën  duke mbajtur numrin më të lartë të zyrtarëve me së paku 5 drejtorë që kanë pasur aktakuza për korrupsion”, është thënë në këtë reagim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një tjetër nismë humanitare e Shqipërisë është marrë pas ndihmës…