PDK-ja dhe AAK-ja i kthehen diasporës

21 mars 2022 | 19:00

Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e kanë marrë më seriozisht votën e diasporës. Përfaqësuesit e këtyre dy partive politike kanë nisur një komunikim me strukturat partiake dhe takime me bashkatdhetarë në Zvicër, Gjermani dhe Francë. PDK-ja dhe AAK-ja në qytete të ndryshme të këtyre shteteve para bashkatdhetarëve po shpalosin vizionin e tyre për diasporën

MAL QORRAJ

Edhe pse Kosova nuk është në ndonjë proces zgjedhor, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e kanë parë të arsyeshme të fillojnë një turne jashtë Kosovës, në vendet ku jetojnë bashkatdhetarët tanë.

Përfaqësuesit e këtyre dy partive politike kanë nisur një komunikim me strukturat partiake dhe takime me bashkatdhetarë në Zvicër, Gjermani dhe Francë, shkruan “Epoka e re”.

Këto dy subjekte politike në qytete të ndryshme të këtyre shteteve para bashkatdhetarëve janë duke shpalosur vizionin e tyre për diasporën.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh udhëheqës i Departamentit për Diasporën, Elmi Reçica, pas tubimit madhështor në Rosenheim të Gjermanisë, ka vlerësuar se kjo agjendë shënon “fillimin e organizimit të madh të PDK-së në Gjermani, me struktura dhe nënstruktura, brenda të cilave do të jenë të angazhuar shumë veprimtarë”.

Mërgimtarëve në këtë tubim iu kanë drejtuar me fjalime edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, Sami Lushtaku, Ramiz Lladrovci, Ganimete Musliu, Blerta Deliu, Donjet Bislimi dhe Kurtan Kajtazi.

“Partia Demokratike e Kosovës rikthehet në Gjermani! Sot, nën përkujdesjen e Departamentit për Diasporë dhe me një punë të palodhshme të aktivistëve të Partisë Demokratike të Kosovës, në Rosenheim të Bavarisë është mbajtur tubimi madhështor i Partisë Demokratike të Kosovës, i cili shënon fillimin e organizimit të madh të PDK-së në Gjermani, me struktura dhe nënstruktura, brenda të cilave do të jenë të angazhuar shumë veprimtarë. Rikthimi i Partisë Demokratike të Kosovës në qeverisje fillon pikërisht me rikthimin e saj në diasporë. PDK-ja do të jetë zëri i shumë veprimtarëve të devotshëm, zëri i anëtarësisë, i rinisë dhe veçanërisht zëri i grave të cilët me investimin e dijes dhe kapitalit, do të jenë shpresë e perspektivës së zhvillimit të vendit. Sot e filluam me Bavarinë dhe do ta përfundojmë me Berlinin”, ka shkruar Reçica në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka treguar edhe për një takim që ka pasur me veprimtarë të devotshëm të çështjes kombëtare dhe me aktivistë të PDK-së të Republikës së Nordrhein-Westfalen të Gjermanisë, me të cilët ka thënë se ka biseduar për çështjet dhe problemet që shqetësojnë diasporën tonë si dhe për rikthimin dhe riorganizimin e PDK-së.

“U vërejt një gatishmëri e lartë si asnjëherë më parë për fuqizimin e Partisë Demokratike të Kosovës në Diasporë si dhe rikthimin e saj në krye të shtetit me qëllim të kthimit të dinjitetit qytetar dhe qeverisjes së mirë. Diaspora jonë është promotore e të gjitha ngjarjeve historike të cilët kanë pasur një rol të jashtëzakonshëm në luftën për liri dhe pavarësi si dhe në zhvillimin e vazhdueshëm ekonomik të vendit”, ka thënë Reçica.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, së bashku me koordinatoren për çështjet e Diasporës, deputeten Time Kadrijaj, ka zhvilluar takime me aktivistë të AAK-së dhe bashkatdhetarë në Zvicër, Francë dhe Gjermani.

Haradinaj ka treguar se bashkatdhetarët i ka informuar për situatën politike dhe atë të sigurisë në Kosovë, si dhe për rolin e AAK-së si subjekt opozitar.

“Kam bërë thirrje që të ndihmohet Fondi i Sigurisë së Kosovës, si mekanizëm shtesë për më shumë siguri në vend, duke falënderuar bashkatdhetarët për kontributin e tyre në të gjitha kohët, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se bashkatdhetarët i ka siguruar për mbështetjen e tij të plotë në procesin zgjedhor brenda partisë, duke uruar sukses për të gjithë ata që marrin pjesë në garën zgjedhore. Aleanca është adresa e sigurt për diasporën shqiptare”, ka deklaruar Haradinaj.

Në zgjedhjet e fundit lokale që janë mbajtur më 17 tetor të vitit të kaluar, subjekti që më së shumti ka fituar vota në total të të gjitha komunave nga diaspora ishte Lidhja Demokratike e Kosovës me 3 158 vota. Pas LDK-së është renditur Lëvizja Vetëvendosje me 2 692 vota, e treta sipas rezultateve ka dalë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 1 482 vota si dhe e katërta është renditur Partia Demokratike e Kosovës me 1 198 vota.

Si duket ky rezultat i fundit i ka shtyrë për angazhim më të madh me diasporën PDK-në dhe AAK-në.

Bazuar në një raport të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, llogaritet të jenë deri në 800 mijë qytetarë të Kosovës të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës.

Nga organizatat joqeveritare është vlerësuar i domosdoshëm përfaqësimi i diasporës në institucionet e Kosovës duke marrë parasysh edhe kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik të vendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lulzim Basha ka dhënë dorëheqjen si kryetar i PD-së. Pas…