PDK-ja dhe AAK-ja kërkojnë që paga minimale të jetë 370 euro dhe të përfshihen veteranët e UÇK-së
Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë dhënë propozimet e tyre për pagën minimale.
Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, teksa është duke u shqyrtuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, PDK-ja ka kërkuar që në pagën minimale të përfshihen veteranët e UÇK-së, ndërsa AAK-ja, përpos kësaj ka kërkuar që paga minimale të jetë 370 euro.
Në emër të PDK-së, amendamentin e ka lexuar deputeti i PDK-së, Ferat Shala. Ai ka kërkuar që neni që i largon veteranët e UÇK-së nga paga minimale të hiqet.
“Përjashtimi i veteranëve të luftës, është i papranueshëm dhe diskriminues dhe pensioni i tyre është i përcaktuar në ligjin bazik. Unë nuk e di sesi ka ardhur deri te drafti i parë dhe ne kërkojmë që të largohet ky diskriminim. Ky ligj ka kaluar në lexim pa pëlqimin e këshillit ekonomiko-social”, ka thënë Shala.
Mirëpo, sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, neni për përjashtimin e veteranëve të UÇK-së nuk duhet të hiqet.
“Amendamenti që ju po kërkon fshirjen ka të bëjë me përcaktimin e një pensioni të dedikuar për veteranë. I jep mundësi që qeveria të përcaktojë pension të veçantë. Nuk mendoj se është e nevojshme të hiqet ky nen”, ka thënë Murati.
Pas këtij deklarimi, ministrit Murati i ka reaguar deputeti Shal, duke thënë se është “një ministër të cilit ia njohim qëndrimet ndaj kësaj kategorie”.
“Ne nuk presim asgjë nga një ministër të cilit ia njohim qëndrimet ndaj kësaj kategorie. Një ministër që pretendonte se vendi mund të çlirohej me mercenarë. Si të ju besojmë kur që për 13 muaj ky ligj qëndron në sirtarë”, ka thënë Shala.
Ndërsa deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka prezantuar amendamentin e grupit parlamentar të AAK-së. Sipas Lekajt, paga minimale duhet të jetë 370 euro. /EO