PDK-ja dhe Bedri Hamza, mundësia e duhur për t’i zgjidhur problemet ekonomike dhe politike
Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, ka thënë se PDK-ja është organizuar më mirë se kurrë për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në një intervistë për Ekonomia Online, ai thekson se Bedri Hamza është kandidati më i mirë për kryeministër, duke theksuar integritetin dhe sukseset e tij si ministër i Financave, ku sipas tij arriti zhvillim të hovshëm ekonomik Kosova.
“Partia Demokratike e Kosovës është organizuar më mirë se çdoherë në përzgjedhjet e 9 shkurtit jemi ende në para fushatë. Ne si subjekt politikë kemi hyrë shumë të përgatitur në zgjedhje, kemi kandidatin më të mirë të mundshëm që e ka Kosova, që është Bedri Hamza, i cili ka treguar integritet gjatë gjithë karrierës së tij, çdoherë ka pasur suksese në udhëheqjen që ka bërë ai. Kurrë nuk kishte krizë botërore ekonomike. Bedri Hamza ka arritur në atë kohë si ministër i financave që Kosova të ketë një performancë pozitive zhvillim të hovshëm ekonomik dhe shohim që shumica e projekteve të mëdha që kanë Kosovë janë të Bedri Hamzës dhe Hashim Thaqit”, ka deklaruar Beqa.
Beqa u shpreh se qytetarët e Kosovës, pa dallime politike, po mbështesin Hamzën për t’u përballur me problemet ekonomike dhe politike të vendit.
“Ne jemi ende në para fushatë. Fushata nuk ka filluar publikisht, por PDK-ja është shumë aktive, anëtarët e PDK-së, janë të vendosur si kurrë më parë, por çka është me rëndësi të veçantë që qytetarët e Kosovës edhe pa dallime politike janë duke e përkrahur Bedri Hamzën sepse të gjithë janë duke e kuptuar se Kosova i ka dy probleme të mëdha, ka problemin ekonomik dhe politik. Problemi ekonomik nuk zgjidhet pa një kryeministër si Bedri Hamza, nuk do të kishim gjet një person më të duhur dhe më të mirë, për kohën kohën e duhur që po kalon Kosova dhe problemi politik që është i lidhur me problemin ekonomik dhe ajo nuk zgjidhet pa miqtë tanë të ShBA-së”, theksoi ai.
Beqa kritikoi kryeministrin Kurti për mungesën e arritjeve, duke theksuar se Bedri Hamza, me të marrë mandatin, do të takojë presidentin e SHBA-së.
“Ne kemi një kryeministër si Kurti që nuk ka arritur ende edhe pse është në fund të mandatit që të takojë një president të ShBA-së, kurse Bedri Hamza ende pa marrë mandatin si kryeministër do ta takojë presidentin e Amerikës. PDK-ja është në rrugë të mbarë dhe është në interes të vendit që ta ndalim degradimin institucional ta ndalim prishjen e urave që e kemi me miqtë që na kanë ndihmuar të vijmë deri këtu dhe ta bëjmë kthesën e madhe për Kosovën. Nëse ka qenë heroizëm me dhënë jetën për të ardhur liria, sot është heroizëm për të zhvilluar vendin ekonomikisht dhe për të krijuar një mundësi që të rinjtë tonë me i realizuar ëndrrat e tyre të bukura në Kosovë”, deklaroi ai.
Ai vuri në dukje rëndësinë e zhvillimit ekonomik dhe krijimit të mundësive për rininë e Kosovës.
“Objektivi im është që të ketë sa më shumë ligje që e bëjnë promovimin e jetës së qytetarët dhe që ua lehtëson jetën e tyre. Dhe do të jem përfaqësues i të gjithave kategorive të shoqërisë nga arsimi shëndetësia dhe zhvillimi ekonomik, dhe do ta përkrahim zbatimin e projektit të Hamzës. Si luftëtarë i UÇK-së, do të mundësohemi t’i promovojmë vlerat që ka ardhur Kosova deri këtu dhe do të kem si prioritet atë kategori që të mbrohen me ligj, që të mbrohen vlerat e luftës me ligj. Do të mundohemi që Kosova ta ketë një dikaster në nivel ministrie për mbrojtjen e të drejtave të kategorisë së luftës”, potencoi kandidati për deputet.
Beqa theksoi angazhimin për përkrahjen e ligjeve që përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe mbrojtjen e vlerave të luftës.
Ai e kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje për dështimin në zhvillim ekonomik dhe integrimin ndërkombëtar, duke mbështetur Hamzën si kryeministrin e duhur për të realizuar objektivat e vendit.
“Lëvizja Vetëvendosje ka përmbysur vetën sepse nuk ka arritur që të ketë performancë pozitive, nuk ka arritur që të kemi ndonjë zhvillim ekonomik, nuk ka pasur njohje të reja, nuk ka arritur të krijoj ura të reja me aleatët tanë për të integruar Kosovën, nuk ka bërë asnjë lëvizje për anëtarësim në NATO, dhe nuk ka asnjë objektiv se duhet të shkoj Kosova që ta ketë flamurin e vet në OKB. Bedri Hamza është kryeministri më i duhur për të realizuar objektivet dhe pritjet e qytetarëve. Nuk mund të flasim me iluzione dhe kryeministri në realitet do jetë ai. Nuk na duhet një kryeministër që nuk i përgjigjet drejtësisë, i shpallë luftë drejtësisë, nuk i përgjigjet ftesës së prokurorit të shtetit, cili është shembulli për fëmijët tanë”, përfundoi ai.