PDK-ja do i përgjigjet pozitivisht ftesës së Osmanit
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku ka thënë se PDK-ja do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së presidentes, Vjosa Osmani që u bëri partive politike për konsultime rreth datës së zgjedhjeve.
Në një konferencë për media, Çitaku ka thënë se kjo ftesë nuk ndërlidhet me zgjedhjet e parakohshme, pasi një gjë të tillë ka kohë që e kërkon PDK-ja.
Ajo ka thënë se kjo ftesë ndërlidhet me zgjedhjet e rregullta.
“PDK e ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për një takim rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve. Sigurisht do ti përgjigjemi ftesës pasi e kemi obligim kushtetues, ju e dini mirë që PDK-ja nga korriku i vitit të kaluar ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, ftesa e saj nuk lidhet me inicimin e zgjedhjeve të parakohshme, por për përcaktimin e datës për zgjedhje të rregullta”, ka deklaruar Çitaku.
Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar në takim konsultativ partitë politike më 31 korrik në lidhje me caktimin e datës për zgjedhjet e ardhshme.