PDK-ja do ta drejtojë vendin, pëlqejmë koalicion me LDK-në para LV-së
Betim Gjoshi, sekretar organizativ i Partisë Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se PDK-ja do të jetë drejtuese e Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke u shprehur se Bedri Hamza do të jetë kryeministër.
Ai ka thënë të hënën në “Interaktiv” të KTV-së se PDK-ja ka planin më të mirë dhe i përfshin të gjitha nevojat e qytetarëve të Kosovës.
“Mendoj se kemi bërë një program që i përfshin të gjitha nevojat e kërkesat në Kosovë, përmes kandidatit për kryeministër, programit të mirë. PDK-ja është në trajektore që deri më 9 shkurt do t’ia mundësojë të drejtojë vendin. Kemi synimin që të jemi partia e parë. Hamza të jetë i nominuari nga presidentja për të udhëhequr…Që qytetarët të mos i marrin valixhet për një shëndetësi më të mirë apo për kushte të tjera…Ne do të ofrojmë qeverisje me qytetarët”, ka thënë Gjoshi.
Zyrtari i PDK-së ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje ka abuzuar me shumicën në Parlament duke kaluar ligje jashtëligjshëm, derisa ai tha se shumica e deputetëve të VV-së nuk njihen.
“…Më ka ardhur keq si qytetar i Kosovës që shumë prej atyre deputetëve që as nuk i njoh as s’ua di emrat, është abuzuar me ta më shumë sesa me qenë dele. Nuk është ofendim, a i njeh deputetët e shumicës? Nëse arrin nga 59 t’i numërosh 30, unë dal prej studios”, ka thënë Gjoshi, njëherit kandidat për deputet.
Gjoshi ka deklaruar se nëse PDK-ja fiton besimin qytetar mjaftueshëm për të qenë mandatar, preferojnë “para VV-së që të kenë LDK-në për koalicion apo ndonjë parti tjetër opozitare”.
“Është partia që ka më së shumti rënie në Kosovë”, ka thënë ai për Vetëvendosjen.
Për partinë në pushtet, Gjoshi është shprehur se e ka minimizuar demokracinë e Kosovës, derisa tha se është tentuar edhe të shkelet rendi kushtetues.