PDK-ja: Do t’i kemi tre aderime, do të jenë befasi e madhe
Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka konfirmuar se në listën e kësaj partie për deputet do te ketë edhe emra ta shqiptarëve nga Lugina e Preshevës.
“PDK-ja do të përfshijë në listën e saj për deputetë dy përfaqësues nga Lugina e Preshevës që e përfaqësojnë secilën komunë të Luginës, ashtu që zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës të dëgjohet në Kuvendin e Kosovës.”, ka thënë ai.
Hoxhaj ka thënë se do ta iniciojë Ligjin për mbështetjen e shqiptarëve në Luginë.
“PDK-ja do ta iniciojë Ligjin për mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës që do të garantonte zotimet ligjore të Qeverisë së Kosovës për shqiptarët e Luginës duke krijuar strukturat e nevojshme, duke siguruar mbështetje financiare dhe mbështetje për zhvillimin arsimor, kulturor dhe shoqëror”, është shprehur Hoxhaj.
Më tutje, Hoxhaj ka folur edhe për mundësinë që Gent Cakaj t’i bashkohet PDK-së.
“Unë nuk arrit që të flas me z. Cakaj. E çmoj shumë punën e tij. Nuk kemi pasur komunikim me të kohëve të fundit”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka konfirmuar se sot (e martë) do t’i prezantojë tri aderime të cilat sipas tij do të jenë befasi e madhe për qytetarët.
“ Sot i kemi tri aderime që për ju do të jenë befasi e madhe”, ka thënë ai.