PDK-ja e çon në Kushtetuese vendimin e Konjufcës për seancën ku u votua edhe Ligji për Pagën Minimale
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka bërë me dije se në emër të partisë e kanë çuar në Gjykatë Kushtetuese vendimin e kryetari të Kuvendit të Kosovës për caktimin e seancës plenare të javës së kaluar.
“Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, ju njoftoj se kemi kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, vendimin për caktimin e Seancës Plenare të javës së kaluar. Si palë e autorizuar pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, kemi parashtruar kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit për caktimin e Seancës Plenare të datës 13 korrik 2023 të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me kërkesën që i njëjti në tërësi të anulohet”, ka shkruar Tahiri në “Facebook”.
Ai ka thënë se seanca e fundit plenare e Kuvendit, ishte caktuar dhe ftuar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, prandaj si e tillë, duhet të anulohet dhe bashkë më të, edhe të gjitha vendimet që janë marrë në këtë seancë jokushtetuese.
“Si parashtrues të këtij rasti, vlerësojmë se, kryetari i Kuvendit, ka bërë shkelje kushtetuese në dy drejtime: e para, në mospërmbushjen e afatit për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare dhe, e dyta, duke mos e vendosur për miratim rendin e ditës të kësaj seance – në mungesë të konsensusit të Kryesisë si rezultat i mungesës së kuorumit të nevojshëm, përkatësisht dështimit të mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë. Si i tillë, ky vendim ka prodhuar pasoja kushtetuese dhe ligjore sepse ka rezultuar me mbajtjen e seancës plenare të ftuar sipas një procedure jokushtetuese, në të cilën janë miratuar ligje dhe projektligje si dhe vendime të tjera për zgjedhjen/shkarkimin e bartësve të institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të pavarura”, ka thënë Tahiri.
Ai ka thënë se krahas kërkesës për anulimin e kësaj seance dhe vendimeve që janë marrë në të, kanë kërkuar edhe masë të përkohshme, që deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, të pezullohet efekti i të gjitha vendimeve që kanë rezultuar nga kjo seancë jokushtetuese.