PDK-ja e dërgon në Kushtetuese vendimin për pagesën e rrymës në veri
Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, deputetja Blerta Deliu ka dorëzuar të premten në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësim të kushtetueshmërisë së vendimit të Kuvendit për ndarjen e 11 milionë eurove për pagesën e energjisë elektrike në katër komunat në veri të vendit.
“Ky vendim i Kuvendit i mbështetur nga deputetët e Vetëvendosjes dhe Listës serbe ka dëmtuar buxhetin e Kosovës. Me këtë vendim ështe shkelur Kushtetuta për shkak të trajtimit të pabarabartë të qytetarëve para ligjit. Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës duhet të jenë të barabarta si për qytetarët në veri ashtu edhe për ata në jug”.
“Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti para një viti kishte paguar 10 milionë euro për energjine elektrike për serbët në veri, ndërsa tani përmes këtij vendimi Vetëvendosje ndau edhe 11 milionë euro të tjera, pra brenda një viti Qeveria ndau 21 milionë euro për energjinë për serbët në veri”.
“Presim që Gjykata Kushtetuese brenda afatit ligjor ti jap të drejtë kërkesës sonë për shfuqizim të vendimit të Kuvendit”, ka thënë Deliu.