PDK-ja e procedon në Kuvend projektligjin për pensionimin e parakohshëm të policëve
Partia Demokratike e Kosovës do ta procedojë sot në Kuvend projektligjin për pensionimin e parakohshëm të zyrtarëve të Policisë dhe Inspektoratit.
Përmes një konference për media, deputetët e kësaj partie, Ganimete Musliu dhe Rashit Qalaj, kanë njoftuar se PDK ka ndërmarrë nismën për hartimin e Projektligjit për pensionet e zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore.
Musliu ka thënë se është e domosdoshme të bëhet shqyrtimit i këtij projektligji në afatin sa më të shkurtër kohor.
“Duke e ditur se Policia e Kosovës edhe pse është policia më re e themeluar në Evropë, ajo fatkeqësisht nuk është e re edhe me moshën e zyrtarëve të saj. Mosha mesatare e Policisë së Kosovës kalon moshën rreth 47 vjet andaj është e domosdoshme të bëhet shqyrtimit i këtij projektligji në afatin sa më të shkurtër kohor, në mënyrë që edhe të veprohet sa me shpejt që është e mundur nga Kuvendi, duke e marrë parasysh pikërisht shqetësimet që adresohen përmes projektligjit.”, ka thënëMusliu.
Musliu bëri me dije se tashmë kanë mbledhur nënshkrimet e nevojshme dhe se sot do ta procedojnë në Kuvend atë.
“Ky ligj përcakton njohjen e së drejtës në pension për zyrtarët policor të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore, familjarët e tyre, si dhe kriteret dhe të drejtën për pensionim. Ky ligj rregullon dhe përcakton kushtet dhe kriteret për garantimin e pensioneve, llojet e pensioneve, si dhe përcakton kategorizimin e pensioneve për pension për zyrtarët policor të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore dhe familjarët e tyre.”, tha Musliu.
Në konferencë foli edhe deputeti Rashit Qalaj, i cili dha disa arsye pse, sipas tij, ky projektligj duhet të mbështetet nga të gjitha grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës.
Ai tha se Policia duhet të investojë në gjeneratat e reja.
“Është shumë e nevojshme që sa më parë që është e mundur ky ligj të vij në Kuvend,. Por, arsyeja kryesore është që Policia e Kosovës të investoj në gjeneratat e reja. Mosha mesatare prej 47 vjetëve tregon se policia është e vjetër dhe ka nevojë të rinohet. Ka shumë policë të vjetër me sëmundje të rënda, të cilat ua pamundësojnë që të kryejnë detyrat ashtu siç kërkohet. Po ashtu, Policia e Kosovës ka njësi të shumta ku shërbejnë mosha të ndryshme. Edhe ata ato kanë nevojë të përtrihen. Ne kërkojmë mbështetjen për këtë projektligj edhe nga Grupet tjera parlamentare dhe si tillë duhet të votohet nga të gjitha partitë politike.”, ka thënë deputeti Qalaj.