PDK-ja emëron Bytyçin zëdhënës, ndërsa Xhemajn drejtor të komunikimit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), pas zgjedhjes së Kryesisë së re, me propozim të kryetarit të partisë, Kadri Veseli, ka emëruar dy zyrtarë përgjegjës për komunikim dhe marrëdhënie me publikun.
Shefi i Kabinetit të kryetarit Veseli, Avni Bytyçi, është emëruar në pozitën e Zëdhënësit të partisë, ndërsa Bashmir Xhemaj, është emëruar drejtor i Zyrës së komunikimit në PDK.
Para se të shërbente në pozitën e zëdhënësit të PDK-së, Avni Bytyçi ishte për dy mandate zëvendësshef i stafit të Kryeparlamentarit Kadri Veseli.
Më parë, Avni Bytyçi ishte angazhuar në sektorin e shoqërisë civile, duke mbajtur pozita të ndryshme menaxheriale dhe udhëheqëse, duke avokuar për demokraci dhe institucione transparente dhe llogaridhënëse.
Në vitin 2013, ai ka pranuar bursën Fulbright nga Departamenti i Shtetit Amerikan, për të vazhduar studimet.
Pas përfundimit të studimeve themelore, drejtimin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, ka ndjekur studimet e nivelit Master në “Maxwell School of Citizenship and Public Affairs” në Universitetit Syracuse, në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndërsa drejtori i Zyrës së Komunikimit, Bashmir Xhemaj, ka diplomuar në shkenca politike dhe magjistruar për komunikim në Universitetin e Sheffildit, fakulteti ndërkombëtar në Selanik. Ka përvojë të gjatë në gazetari dhe shoqëri civile.
Nga viti 2014, ai ka punuar si këshilltar në Ministrinë e Jashtme dhe më vonë si këshilltar i lartë i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Partia Demokratike e Kosovës që nga themelimi i saj dhe në përvojën gati dy dekada si parti politike, ka kultivuar çdo herë një raport të veçantë dhe të afërt me mediat dhe publikun.
Emërimet e reja do ta forcojnë edhe më shumë këtë lidhje dhe rritin bashkëpunimin e përditshëm me të gjitha palët e interesit.