PDK-ja i troket sërish në derë Kushtetueses, e dërgon një lëndë për vlerësim
Partia Demokratike e Kosovës do t’i drejtohet sot sërish Gjykatës Kushtetuese. Në njoftimin drejtuar mediave nga kjo parti, thuhet se zyrtarë të PDK nga ora 11:00 do të dorëzojnë edhe një lëndë tjetër për vlerësim në Kushtetuese.
Se për çfarë lënde bëhet fjalë, nuk janë dhënë detaje. Pas dorëzimit të dokumentacionit, do të ketë edhe prononcim për media.
“Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, nesër (e premte), nga ora 11:00, do të dorëzojnë edhe një lëndë tjetër për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese. Pas dorëzimit të dokumentacionit, do të ketë edhe prononcim për media”, thuhet në njoftim.
PDK në njoftim për media mbrëmë rreth takimit të strukturave të saj partiake ka bërë me dije se “në takim u diskutua edhe për mosdekretimin e Kryeprokurorit të shtetit nga ana e Presidentes Vjosa Osmani – Sadriu, vendim të cilin po e shqyrtojnë eskpertët ligjor të PDK-së, të cilët me kohë do të propozojnë veprimet për trajtimin e kësaj çështje”.