PDK-ja kërkon hetim për 42 kontrata njëburimore nga Ministria e Infrastrukturës
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha përmes një konference për medie ka denoncuar sërish keqpërdorimin e 9 milionë eurove nga Ministria e Infrastrukturës, e cila për periudhën 22 mars 2021 deri më 7 prill 2022, ka lidhur 42 kontrata njëburimore, pa konkurrencë dhe pa procedura.
Deputetja Hoxha ka kërkuar dorëheqjen e ministrit Liburn Aliu, për t’i hapur rrugë hetimeve të pavarura.
Duke e cilësuar pushtetin aktual, abuziv, jotransparent dhe nxitës të korrupsionit e keqpërdorimit, Hoxha ka theksuar se ministria e udhëhequr nga ministri Liburn Aliu, për një vit, ka lidhur 42 kontrata për punë shtesë, të cilat nuk janë zhvilluar përmes procedurave të rregullta të prokurimit.
“Më 18 prill të këtij viti, përmes një konference të ngjashme për shtyp, ju kemi adresuar medieve dhe qytetarëve, për të ngritur shqetësimet tona të bazuara rreth keqpërdorimit të pushtetit në Ministrinë e Infrastrukturës, duke prezantuar fakte e dëshmi për atë që ne e konsiderojmë si një ndër aferat më të dyshimta korruptive brenda kësaj ministrie. Përkatësisht, ku nga vetëm 22 marsi i vitit 2021, e deri me 7 prill të këtij viti, pra për një vit e dy javë, Ministria e Infrastrukturës kishte lidhur gjithsej rreth 42 kontrata një burimore, duke keqpërdorur hiq më pak se rreth 9 milionë euro para të taksapaguesve, përmes procedurës së shpërblimit e marrëveshjeve nën tavolinë”, ka thënë ajo.
Sipas deputetes Hoxha, këtë aferë të dyshimtë korruptive të ngritur nga PDK-ja, tashmë e bën shumë seriozisht të dyshimtë, edhe fakti se dyshimet për korrupsion e keqpërdorim në Ministrinë e Infrastrukturës nga po të njëjtit protagonistë, janë vërtetuar edhe nga puna e gazetarisë hulumtuese.
Hoxha kritikoi Qeverinë për heshtje ndaj këtyre dyshimeve të bazuara dhe theksoi se PDK-ja si lidere e opozitës do të vazhdojë të kërkojë llogaridhënie dhe përgjegjësi ndaj akterëve të përfshirë në këto afera, sepse abuzimi me 9 milionë euro me kontrata nën tavolinë, nuk të kalojë pa përgjigje.
“Në rrethana të tilla kur një ministri e rëndësishme siç është ajo e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, është shndërruar në mjedis ekskluziv për korrupsion e abuzim nga pushteti, dhe kur dyshimet tona të bazuara si dhe dyshimet fakto grafike të prezantuara edhe nga mediet e lira investigative tashmë e kanë nxjerrë në pah atmosferën korruptive që mbretëron në ministrinë e drejtuar nga Liburn Aliu, e cila atmosferë ka protagonistë të veçantë me emër e mbiemër, jo vetëm që s’kemi parë llogaridhënie e përgjegjësi, por kemi parë një mësymje të pushtetit për të legjitimuar e amnistuar këta protagonistë, gjë që flet qartë se këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me emra të përveçëm, por më një sipërmarrje politike qeveritare që është e prirur për korrupsion e abuzim”, ka thënë Eliza Hoxha.