PDK-ja kërkon Komision Hetimor për zjarrin në Institutin e Mjekësisë Ligjore
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, në seancën e sotme të Kuvendit ka bërë me dije se do të kërkojnë formim të Komisionit Hetimor për zjarrin e shkaktuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Madje ai fjalimin e tij në Kuvend e nisi me pyetjen: A me fol për djegien e IML-së apo për dështimin e regjistrimit të popullsisë?
Tahiri, ka thënë se nga ardhja e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, ka pasur përpjekje të vazhdueshme për ta penguar punën në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Duke iu referuar zjarrit në IML, ai ka pyetur nëse është e vërtitë që janë djegur mustaqet e Adem Jasharit dhe mbetjet mortore të Isa Boletinit.
“Flasin për Serbinë, për Rusinë e vetëm për vetëm për t’i ikur skandalit. I tillë ishte edhe rasti i deputetit Rexhaj. Skandalet janë të mëdha, a me fol me Jakupin që ka pagën më të lartë, a me fol për sulmet”.
“Kemi par një përpjekje të VV për ta dështuar punon e IML, para disa muajsh kemi pasur humbje të mostrave të Astrit Deharit dhe së fundmi kemi parë zjarr në IML, pra çfarë mostra janë djegur dhe çfarë raportesh dhe ekspertiza janë djegur”.
“Do t’i propozojmë Komision Hetimor për dëmet që janë shkaktuar në IML. Çfarë ekspertizash janë djegur, çfarë mostrash janë djegur dhe qytetarët kanë të drejtë të dinë për çfarë dëshmish janë humbur dhe cilat ishin ato mostra që kanë humbur në rastin Dehari. Javën që vjen do të kërkojmë të formohet ky komision hetimor”, ka thënë Tahiri, raporton “Ekonomia Online”.