PDK-ja kërkon ngritjen e disa shtatoreve në Prizren
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prizren ka kërkuar nga kryetari i kësaj komune, Mytaher Haskuka nisjen e proceduarave për ngritjen e disa shtatoreve të komandantëve të UÇK-së, duke përfshirë edhe atë të komandantit legjendar Adem Jashari.
Nëpërmjet një komunikate për medie, PDK-ja ka theksuar se kjo parti është vazhduese e vlerave të luftës çlirimtare dhe se angazhohet për promovimin e këtyre vlerave.
“Marrë për bazë që vlerat e luftës çlirimtare janë themeli i lirisë dhe i shtetit të Kosovës, PDK-ja është e angazhuar për promovimin e vlerave dhe ruajtjen e përkujdesin për dëshmorët, veteranët, invalidët dhe të gjitha kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së. Në përputhje më këto vlera, në përkushtim të ruajtjes së kujtesës sonë historike, për brezat dhe për amanetin e të rënëve PDK-ja kërkon nga kryetari i komunës së Prizrenit nisjen e proceduarave për ngritjen e shtatoreve të komandantit legjendar Adem Jashari, komandantit Ekrem Rexha-Drini, komandantit Tahir Sinani, komandantit Hysen Rexhepi, komandantit Agim Shala dhe komandantit Skender Rexhepit. Roli i tyre në luftën për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte emblematik në betejat e rezistencës kombëtare”, është thënë në komunikatën e PDK-së.
Në këtë kontekst, Dega e PDK-së në Prizren ka kërkuar nga kryetari Haskuka që në seancën e radhës të Kuvendit Komunal të propozojë lokacionet për vendosjen e këtyre përmendoreve.
“Dega e PDK-së në Prizren, kërkon nga kryetari i komunës së Prizrenit që në seancën e radhës të propozohen lokacionet për vendosjen e përmendoreve në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta që veprojnë në qytetin tonë dhe të njëjtat t’i kthejë për miratim në seancë të Kuvendit Komunal. Grupi i kuvendarëve të PDK-së do të jetë aktiv në përmbushjen e kërkesave për ngritjen e përmendoreve”, është thënë në komunikatën e Degës së PDK-së në Prizren.