PDK-ja kërkon që Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike të tërhiqet nga shqyrtimi
Partia Demokratike e Kosovës po kërkon që Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike të tërhiqet nga shqyrtimi në Kuvendin e Kosovës.
Kujtim Gashi nga kjo parti, gjatë seancës ku po diskutohet ky projektligj, tha se ai nuk adreson problemet e vendit me ekonomi dhe pandemi.
“Ky projektligj mund të jetë gjithçka tjetër, por vetëm Ligj për Rimëkëmbje nuk është sepse i njëjti nuk adreson problemet e vendit me ekonomi dhe pandemi. Madje ky ligj nuk ndihmon as shëndetësinë, sektor ky që po ballafaqohet me probleme të shumta sa i përket përballjes së personelit shëndetësorë me virusin COVID-19”, tha ai, përcjell “KP”.
Ai ka thënë se tërheqja e 10 për qindëshit të kursimeve në Trust vetëm do të dëmtojë qytetarët.
“Përkundër që tërheqja e 10 për qind e mjeteve mund të duket si ndihmë afat shkurte për qytetarët, në aspektin afatgjatë dëmton qytetarët meqë shteti nuk do t’ua rimbursojë asnjëherë këto mjete. Pra, kjo i bie që ata që do të tërheqin mjetet do të zvogëlojnë edhe më shumë fondin e tyre pensional. Pra, do të kenë për 10 për qind më pak mjete ndoshta edhe për pleqërinë e tyre”, shtoi ai.