PDK-ja kërkon që Qeveria të reagojë për deklaratat e Vulinit
Subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, për siç tha, mosreagimin ndaj deklaratave të ministrit të Brendshëm serb, Aleksandër Vulin.
Javën e kaluar, Vulin deklaroi se masakra e Reçakut ishte “gënjeshtër e madhe dhe fabrikim i jashtëzakonshëm”.
“Aleksandër Vulin tha që Reçaku është ngjarje fiktive. Jo që nuk pritet nga ai një gjë e tillë, por është e çuditshme që nuk pati reagim nga kjo Qeveri. Reagoi SHBA-ja, reagoi Bashkimi Evropian. Çfarë reagimesh pati nga Kosova në raport me këtë deklaratë? Është e turpshme që ne të dalim me një reagim kaq të dobët, nuk po flas si Qeveri, po si Kosovë dhe shoqëri…”, tha deputeti i PDK-së, Adrian Kastrati gjatë seancës plenare që po mbahet sot.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që ishte i pranishëm në seancën plenare, nuk u përgjigj ndaj kësaj deklarate të deputetit Kastrati.
Ndërkaq, kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se shteti i Kosovës reagon përmes proceseve gjyqësore ndaj njerëzve që mohojnë masakra të tilla.
“Mos ia degradoni dinjitetin vuajtjeve dhe sakrificës popullit të Kosovës”, tha Konjufca.