PDK-ja kërkon rezolutë kundër ngritjes së çmimit të rrymës

20 janar 2022 | 14:36

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka bërë me dije se kjo parti do të iniciojë seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Në një konferencë për medie, ai ka thënë se në këtë seancë do të kërkohet miratimi i një rezolute kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

“Sot GP i PDK-së duke parë gjendjen që po rëndohet çdo ditë e më shumë me energji elektrike, dhe në anën tjetër duke parë papërgjegjësinë e kryeministrit dhe qeverisë, kërkuam që të mbajmë një debat në lidhje me këtë situatë.  Në mënyrë që qytetarët të kalojnë sa më lehtë këtë dimër, kërkojmë që në asnjë rrethanë të mos ngritet çmimi i energjisë. Kjo është e papërballueshme për qytetarët dhe nuk guxon të ndodhë.”, ka thënë ai.

Tahiri ka kritikuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për mospërkrahje të mocionit të PDK-së, duke thënë se Kosova është vendi i fundit që po diskuton për ndërmarrjen e masave lidhur me rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

“Si po shkon puna, Kosova do të jetë një nga 10 vendet që do të paguaj më së shtrenjti energjinë elektrike në Evropë. Është duke u manipuluar me të madhe në lidhje me shifrat dhe statistikat për furnizim nga ana e qeverisë. Si opozitë, ne nuk do të ndalemi. Do të punojmë dhe do të përdorim të gjitha instrumentet për të ftuar në seancë të jashtëzakonshme kryeministrin Kurti që të mos lejojmë ngritjen e çmimit të energjisë. Secila familje kosovare, sado e vogël të jetë ajo, do të kaloj 600 këh energji elektrike brenda muajit dhe do të preken nga rritja e çmimit të energjisë. Pagat nuk janë rritur, prandaj, pagat e qytetarëve tanë, mësuesve, policëve, të sektorit privat, nuk do të mund ta përballojnë rritjen e çmimit të energjisë.”, ka theksuar Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Supreme e ka liruar nga akuza ish-sekretarin e Ministrisë…