PDK-ja kërkon shkarkimin e ministrit Aliu
Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar shkarkimin e ministrit të Mjedisit, Liburn Aliu, vetëm dy ditë pas emërimit të tij. Kërkesa e PDK-së vjen pasi ndaj Aliut doli se ka aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, sa ishte drejtor në Komunën e Prishtinës.
Përmes një postimi në “Facebook”, Betim Gjoshi nga PDK-ja ka thënë se Aliu duhet të japë dorëheqje, ose kryeministri Albin Kurti duhet ta shkarkojë.
“Z. Aliu, mos e bëj aktorin sikur nuk din asgjë për Aktakuzën, por politikanin e përgjegjshëm. Tani që e konfirmove lajmin dorëhiqu dhe lejoje drejtësinë ta bëjë punën pa asnjë pengesë. Ndiqe shembullin e kolegëve të përgjegjshëm nga politika që ofronin dorëheqjen nga detyra kur akuzoheshin zyrtarisht. Bëhu ministri i parë që jep dorëheqjen në ditën e parë të punës. Albin Kurti duhet ta jap shembullin nga shtëpia e tij. Ai duhet ta shkarkojë nga detyra z. Aliu, për të treguar shembullin se nuk është një demagog më shumë në qytetin tonë. Pavarësisht se jemi kundërshtarë politik, ju z. Kurti duhet të merrni shembujt e mirë nga z. Kadri Veseli”, ka shkruar Gjoshi në “Facebook”.