PDK-ja kërkon shpërbërjen e Kuvendit: Është koha që vendi të shkoj në zgjedhje
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka thënë se është koha që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Kështu është shprehur shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
“Ky Kuvend nuk e meriton as edhe një ditë të vetme të shfrytëzoj taksat e qytetarëve kur është kaq jofunksional. Si grup parlamentar i PDK-së dhe si parti tashmë kemi një vendim ku ne kërkojmë që ky Kuvend jofunksional i cili po i shkakton më shumë dëm kësaj republike sesa po ndihmon në një qeverisje të mirë, duhet të shpërbëhet sa më parë. I kemi dhënë edhe mundësinë kryeministrit nga java e kaluar ose ta shpërbëj Kuvendin ose të japë dorëheqje, dhe koha është që vendi ynë të shkoj në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Tahiri.
Tahiri gjithashtu bëri me dije se si grup parlamentar nuk do të votojnë asnjë marrëveshje në Kuvend.
“Ne nuk mund të mbijetojmë të izoluar dhe nuk e kemi ndërmend ta ndihmojmë izolimin. Ne si grup nuk do të votojmë as marrëveshjet ndërkombëtare, as projektligjet as strategjitë me qëllimin e vetëm që sa më shpejtë ta dërgojmë vendin në zgjedhje dhe ta largojmë këtë qeveri të paaftë”, ka thënë ai.