PDK-ja kritikon LDK-në dhe LV-në për qeverisjen në Prishtinë: S’kanë vizion, çdo vit tepron mbi 20 për qind e buxhetit
Partia Demokratike në Prishtinë ka mbajtur të dielën konferencë për shtyp ku ka folur për buxhetin e Komunës së Prishtinës, i cili është miratuar ditë më parë si dhe mungesën e vizionit që tradicionalisht po përcjellë çdo buxhet nga të gjitha partitë që kanë udhëhequr me kryeqytetin.
Deputetja nga radhët e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë se nga shpallja e pavarësisë, por edhe më herët, kemi pasur një buxhet të Prishtinës të dizajnuar për komunën por jo për qytetarët. “Buxheti i Prishtinës tradicionalisht nuk përmbushë nevojat e qytetarëve, të familjeve, prindërve, fëmijëve, dhe gjyshërve tanë.
Si pasojë, kemi një Prishtinë të paorganizuar dhe jo funksionale që në vend se të na lehtësoj, ajo na ka rënduar jetën e secilit prej nesh”, ka thënë Hoxha. Sipas saj, buxheti i komunës së Prishtinës nuk ka paraparë asnjë vijë buxhetore për përballjen me Covid-19.
“Ndërmarrësit e Prishtinës edhe njëherë do të jenë të vetëm në ballafaqim me krizën, pasi asnjë linjë buxhetore nuk është ndarë për ta. Përkundrazi, kemi zvogëlim të buxhetit për zhvillim ekonomik nga 500 mijë në 100 mijë euro”, ka thënë Hoxha.
Sa i përket realizimit të buxhetit ndër vite, Leutrim Retkoceri, asamblist i PDK në Prishtinë, ka thënë se Prishtina që nga paslufta është kampione e tepricave buxhetore apo suficititi.
Sipas kësaj partie, për shkak të planifikimeve të, siç kanë thënë dobëta nga të gjitha qeveritë e deritanishme në Prishtinë, si nga LDK-ja e po ashtu nga Vetëvendosje, mesatarisht 20 për qind e buxhetit apo rreth 17 milionë euro i humbin Prishtinës në suficit çdo vit.