PDK-ja: Kryetari i Shtimes ka emëruar drejtor kandidatin e LV-së për kryetar të Kaçanikut, por po e fsheh
Dega e PDK-së në Shtime, ka akuzuar kryetarin e Komunës së Shtimes nga radhët e Vetëvendosjes, Qemajl Aliun se ka punësuar si drejtor komune, ish-kandidatin e LV-së për kryetar të Kaçanikut, Jeton Raka.
Përmes një postimi në faqen zyrtare në “Facebook” nga kjo parti është thënë se Aliu ka punësuar Rakën si drejtor të Drejtorisë për Prokurim dhe emërimin e tij e ka fshehur.
“Ndonëse pushteti lokal i udhëhequr nga Qemajl Aliu është vonuar në emërimin e drejtorëve komunale ende nuk ka publikuar njoftimin zyrtar dhe nuk e ka kompletuar në tërësi emërimin e drejtorive dhe nënkryetarit të Komunës. Përmes këtij reagimi publik shprehim shqetësimin e kësaj vonese, por edhe më keq emërimin e personave nga komunat fqinje në këtë rast emërimin e drejtorit të Drejtorisë për Prokurim (i pa certifikuar) dhe nga Komuna e Kaçanikut, Jeton Raka, ish kandidat i LV-së për kryetar”, është thënë në reagimin e PDK-së.
Më tutje, PDK-ja në Shtime ka deklaruar se qëllimi kryesor i LV-së është rehatimi militantëve partiakë.
“Kjo qasje tregon jo seriozitet, pa përgjegjshmëri dhe injorancë e tejskajshme ndaj qytetarit të Shtimes, kur dihet se në komunën e Shtimes ka njerëz mjaft të kualifikuar për t’i dal zot kësaj pune. Edhe pse ekzekutivi është i ndërtuar mbi bazën e koalicioneve të shumë subjekteve politike në Shtime (LDK, AKR) nuk ka arritur të gjej persona adekuat brenda komunës dhe persona kompetent të kualifikuar dhe kjo nuk vije si pasojë e asaj se në Shtime nuk ka njerëz, por qëllimi kryesor është rehatimi i militanteve partiak të VV-së. Qytetari i Shtimes duhet të jetë prioritet i Komunës së Shtimes”, është thënë në këtë reagim.