
PDK-ja kundër rinumërimit të votave të pavlefshme nga diaspora: Asnjë kuti s’mund të hapet pa vendim të PZAP-it
Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi është shprehur kundër rekomandimit të sekretariatit të KQZ-së për rinumërimin e votave të pavlefshme nga diaspora.
Në mbledhjen e KQZ-së, ku po diskutohet për këtë çështje, ai ka shprehur dyshime se kjo është kërkesë e LV-së.
“Nuk di a është kërkesa e tij apo mbi çfarë përfundime kanë ardhur? A ka ardhur vetë drejtori, apo ndonjë komision? Një çështje që është evidente, vendimi i PZAP-it është marrë, është rezultat i një procedure administrative. Proces ankimor të një subjekti politik. Çdo tendencë për ta aplikuar këtë vendim në raste analoge nuk qëndron sepse PZAP-i për secilin rast veç e veç ka marrë vendime, ato i lexuat”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.
“Ju keni bërë kërkesë hipotetike e cila nuk do të duhej të vinte nga ju. Po flasim për disa fletëvotime të cilat siç i kemi parë të gjithë është një dorë dhe një printer, qysh nuk i ka qit një printer, njëjtë janë krejt, me një printer. Unë e kam thënë nga fillimi që procesi i votimit në diasporë është i kontaminuar, tash kemi ankesa të ndryshme. Asnjë kuti nuk mund të hapet pa vendim të PZAP ose Gjykatës Supreme. Ka qëllim për prolongim të procesit zgjedhor”, ka thënë Gashi.