PDK-ja: Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në përputhje me Kushtetutën

26 dhjetor 2024 | 15:13

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka njoftuar se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka konfirmuar njëzëri se Ligji për zgjedhjet e përgjithshme është në përputhje të plotë me Kushtetutën.

Sipas vendimit, kuotat gjinore të përcaktuara në listat e kandidatëve të secilit subjekt politik garantojnë përfaqësim të drejtë dhe respektojnë parimet e barazisë gjinore.

Tahiri, i cili është kryetar i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, është shprehur i lumtur për këtë vendim, duke theksuar se reforma zgjedhore ka adresuar dhjetëra rekomandime nga organizata vendore dhe ndërkombëtare.

Ai ka theksuar se ky ligj përmirëson integritetin zgjedhor dhe garanton të drejtën kushtetuese të shtetasve për të votuar, brenda dhe jashtë vendit.

“Reforma zgjedhore, e realizuar në këtë mandat qeverisës dhe nën udhëheqjen e opozitës parlamentare, është një ndër sukseset e pakta të kësaj legjislature”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se pas më shumë se 12 vjet zvarritjesh, kjo reformë ka rezultuar e suksesshme dhe është vlerësuar si në pajtim të plotë me Kushtetutën.

Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm në përmirësimin e sistemit zgjedhor të Kosovës dhe në garantimin e të drejtave të votuesve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në mungesë të kuorumit, ka dështuar mbledhja e sotme e…