PDK-ja mbështet propozimin e presidentit për gjendje të jashtëzakonshme

18 mars 2020 | 11:54

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se gjendja e krijuar në vendin tonë për shkak të koronavirusit është e jashtëzakonshme. Veseli në një konferencë të thirrur për media tha se për këtë gjendje mjafton t’i shohësh fshatrat e qytetet tona. “Si rezultat i deportimit dhe përhapjes së kësaj pandemie, është krijuar gjendja e jashtëzakonshme edhe në shtetin tonë. Kjo tanimë është fakt, pavarësisht a e shpallëm formalisht apo jo. Mjafton t’i shohësh fshatrat e qytetet tona, mbylljen e shkollave, ndaljen e prodhimit, mbylljen e veprimtarive të shërbimit dhe shumicën aktiviteteve të tjera socio-ekonomike. Por, ajo që na obligon të gjithëve në këtë situatë është veprimi ynë që sa më shpejt ta ndihmojmë vendin që t’i kthehet normalitetit. Kjo është përgjegjësi në rend të parë e qeverisë, pastaj e të gjithë neve. Ne e dimë se dëmi akut është shëndetësor, por edhe socio-ekonomik. Dhe ky dëm mund të lokalizohet dhe kontrollohet nëse veprojmë mençur dhe jemi të vendosur si shtet dhe shoqëri. Në të kundërtën, pasojat do të jenë më të rënda”, deklaroi Veseli në një konferencë për media mbajtur para pas çastesh.

Lideri i PDK-së tha se numri i personave të prekur me koronavirus po rritet, prandaj masat ekstreme janë të domosdoshme. “Duhet të veprojmë sa nuk është bërë tepër vonë. Për qytetarët, për ekonominë, për të ardhmen dhe shtetin tonë. Jemi në një situatë kur banorët e Vitisë, Klinës dhe të Malishevës janë të izoluar brenda qyteteve të tyre, përderisa edhe në Podujeve dhe kryeqendrën tonë kemi të prekur, por kujdesi për këto komuna nuk është ai i duhuri dhe mbështetja nuk është e mjaftueshme. Rrjedhimisht, përballimi i tyre me këtë gjendje është i vështirë. A ka dikush iluzione se kjo situatë, me përhapjen e virusit, nuk përshkallëzohet, nëse nuk merren masat ekstreme? Është në dorën e deputetëve që të vendosin për ta kaluar dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Por, edhe vetëm një jetë nëse shpëtohet, ia vlen një vendim i tillë. Prandaj, PDK-ja mbështet idenë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në tërë vendin”, deklaroi Veseli.

Më tej, ai tha se masat që qeveria ka ndërmarrë deri më tash karshi përballjes me pandeminë nuk kanë qenë të mjaftueshme. “Ne jemi të shqetësuar me rolin e qeverisë në këtë situatë, sepse me paaftësinë e saj menaxhuese dhe nënvlerësimin – mund ta përkeqësojë më tutje gjendjen për qytetarët tanë. Moskontrolli i rreptë i të gjithë atyre që vijnë nga vendet e prekura nga Virusin Covid 19 është gabim fatal. Neglizhenca e qeverisë për të vepruar menjëherë për vendosjen e tyre në karantinë përbën rrezik të madh për qytetarë tanë”, u shpreh Veseli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
UEFA ka publikuar përditësimin e fundit të renditjes së klubeve.…