PDK-ja, model opozitarizmi kundër qeverive të mashtrimit Kurti – Hoti
Drejtori ekzekutiv i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerand Stavileci, ka thënë se kjo parti, duke parë me shqetësim zhvillimet dhe lëvizjet e fundit politike në vend, ka prezantuar platformën e rimëkëmbjes kombëtare.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se qeveritë e fundit, e vjetra e Kurtit dhe kjo e reja e vjetër e Hotit, janë të ngjashme në kuptimin e asaj se çka përfaqësojnë. “E tërë odisejada e këtyre muajve të fundit, e cila zgjati më shumë se katër muaj për ta ndërtuar një trohë besimi, dhe iu deshtë më pak se dy muaj për ta tradhtuar keq njëri-tjetrin dhe qytetarin e vendit tonë, përbën një arsye të fortë që të tillët as të mos votohen e as të mos përkrahen. Mbollën mashtrimin, e korrën mashtrimin”, ka deklaruar Stavileci.
Ai ka thënë se opozitarizmi i PDK-së do të jetë model i një politikëbërjeje të re, i cili, nga njëra anë do të prezantojë skema të mirëfillta ekonomike dhe sociale të rimëkëmbjes në dobi dhe për dobi të shtetit e qytetarëve tanë, nga ana tjetër do t’i shkojë deri në fund demaskimit të politikave populiste të atyre që marrin besimin qytetar duke e mashtruar pikërisht atë besim me retorika e simbolika boshe.
“Hija e mashtruesve do t’i përcjellë deri në fund dhe nuk do të mund t’i ikin asaj. Kjo e bën më të lehtë udhëtimin tonë të ri politik opozitar ngaqë PDK-ja është e vërtetë se ashtu siç ka bërë punë të mira për vendin, ndonjëherë edhe ka bërë lëshime, por asnjëherë nuk ka mashtruar siç mashtruan Kurti dhe Hoti. Kjo qysh tani e bën diferencën në skenën tonë politike për të ardhmen e besimit qytetar. Ata nuk do të pranojnë të mashtrohen e të tradhtohen. Dhe ky sentiment i ri është një arsye shumë e madhe më tepër që sytë e tyre të kthehen nga Partia Demokratike e Kosovës dhe platforma e saj për rimëkëmbjen”, ka deklaruar Stavileci.
Muhamet KOCI
“Epoka e re”: Z. Stavileci, lideri i PDK-së, Kadri Veseli, më 10 qershor në Prizren ka shpalosur një platformë të cilën e ka quajtur platformë të rimëkëmbjes kombëtare. Çka nënkupton kjo platformë?
Stavileci: Duke parë me shqetësim zhvillimet dhe lëvizjet e fundit politike në vendin tonë, Partia Demokratike e Kosovës si adresë dhe prijëse e proceseve shtetndërtuese dhe shtetzhvilluese, ka prezantuar Platformën e Rimëkëmbjes Kombëtare.
“Epoka e re”: Cila ka qenë arsyeja dhe urgjenca e bërjes dhe prezantimit të saj?
Stavileci: Të gjithë qytetarët e vendit tonë e dinë se që nga shpallja e pavarësisë e deri në vitin 2014 nën udhëheqjen e PDK-së janë realizuar shumë punë e projekte madhore për shtetin tonë, të cilat kanë bërë që shumë sektorë vitalë ta ndiejnë transformimin e duhur në dobi të zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve, nga kryeveprat infrastrukturore e deri te rritja e pagave për të gjitha kategoritë e shoqërisë sonë. Fatkeqësisht, nga viti 2014 e këndej, si rezultat i aventurave të rrezikshme politike të partive, që tjetër gjë proklamonin e krejtësisht tjetër gjë bënin, nga pseudokauzat nacionaliste e patriotike, siç ishte demarkacioni, e deri te premtimet boshe për shtresat e ndryshme të shoqërisë, ne kemi parë vetëm patriotizëm folklorik dhe patetizëm ekonomik, i cili kulmoi gjatë muajve të fundit me dy destinacione tejet të rrezikshme për shtetin tonë të dashur. E para, ftohja dhe prishja e marrëdhënieve me partnerin tonë kryesor strategjik, ShBA-në. Dhe, e dyta, rrezikimi i kolapsit ekonomik në kohën e pandemisë si rezultat i masave joadekuate dhe të mangëta për ekonominë, sektorin privat dhe sektorin publik, të qeverisë Kurti, e cila në 52 ditë qeverisje jo vetëm që u dëshmua e pavizion, e paaftë dhe e paguximshme, por bëri gabime trashanike, të rrezikshme e të pafalshme për të ardhmen e vendit tonë dhe qytetarëve të tij të çmuar. Prandaj, ishte koha dhe momenti që, edhe pas instalimit të qeverisë së re, e cila vuante nga po i njëjti virus, ai i mashtrimit, PDK-ja, si gjithmonë, të dilte në ballë të një procesi të ri, i cili do ta sendërtojë rimëkëmbjen kombëtare, duke e kthyer Kosovën në rrugën e saj të drejtë.
Angazhimi ynë është për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo, moscenimin e kufijve të Kosovës, ruajtjen e lirisë dhe mbrojtjen e vlerave çlirimtare të popullit tonë. Orientimi ynë është djathtist, që promovon të drejtat dhe liritë qytetare dhe lufton për to. Ekonomia e tregut të lirë dhe e konkurrencës së ndershme është princip bazë i angazhimit tonë. Më pak fuqi qeverisë dhe politikanëve, e më shumë fuqi ndërmarrësve dhe të rinjve. Më pak burokraci në vendimmarrje, më pak procedura dhe më pak tatime. Më shumë përkrahje prodhimit, eksportit dhe punësimit. Paralelisht me këtë mendësi ekonomike, mposhtja e së keqes është domosdoshmëri në kuadër të reformave për drejtësi, ligj dhe mirëqeverisje. Korrupsioni, abuzimi, mashtrimi duhet të ndalen një herë e përgjithmonë. Këto janë qëllimet dhe vlerat kryesore të platformës sonë.
“Epoka e re”: Ju keni marrë pozitën e drejtorit ekzekutiv në PDK. A mund të na tregoni se cili është roli i kësaj pozite dhe deri ku ka shkuar procesi i reformave të brendshme në këtë parti?
Stavileci: PDK-ja jo vetëm në rrafshin institucional, por edhe në atë të brendshëm organizacional është dëshmuar si kampione e proceseve shembullore e demokratike të transformimit bashkëkohor, në hap me trendët e kohës dhe në përputhje me zhvillimet e fundit teknologjike dhe informative. Përveçse kemi zhvilluar zgjedhje të brendshme model, kemi bërë edhe riorganizime strukturore e funksionale, që u shkojnë për shtati partive të mëdha e serioze të ideologjisë së djathtë politike, pjesë e familjes së të cilave tashmë jemi fuqishëm në të gjitha aspektet. Në këtë drejtim kemi parë të arsyeshme që, përveç strukturave të mirëdefinuara e të konsoliduara partiake, të kemi edhe disa njësi e pozita që u shërbejnë më mirë kërkesave të kohës dhe nevojave partiake, me theks të veçantë në pjesën e organizimit dhe komunikimit. Pozita e drejtorit ekzekutiv ka të bëjë kryesisht me këto fusha, por edhe me fusha të tjera nga administrata e deri te çështjet e ndryshme politike që janë pjesë e spektrit të punës dhe strategjisë së subjektit tonë politik.
“Epoka e re”: PDK-ja ka votuar kundër formimit qeverisë Hoti. Pse ka votuar kundër?
Stavileci: Partia jonë ka një kurs të përcaktuar politik, të kultivuar ndër vite, duke i mbetur besnike vlerave tona dhe duke krijuar vlera të reja moderne që i duhen vendit dhe qytetarëve, që të kemi zhvillim ekonomik, rritje të mëtutjeshme të mirëqenies së qytetarëve dhe rivendosje të partneritetit të mirëfilltë me aleatët tanë perëndimore në krye me ShBA-në. Qëndrimet tona për të gjitha këto kanë qenë më stabilet dhe më konsistentet nga të gjitha partitë politike. Qeveritë e fundit, e vjetra e Kurtit dhe kjo e reja e vjetër e Hotit, janë të ngjashme në kuptimin e asaj se çka përfaqësojnë. Josinqeritet, mosbesim, tradhti dhe mashtrim. E tërë odisejada e këtyre muajve të fundit, e cila zgjati më shumë se katër muaj për ta ndërtuar një trohë besimi, dhe iu deshtë më pak se dy muaj për ta tradhtuar keq njëri-tjetrin dhe qytetarin e vendit tonë, përbën një arsye të fortë që të tillët as të mos votohen e as të mos përkrahen. Mbollën mashtrimin, e korrën mashtrimin. Maskat e tyre prej demagogësh e populistësh ranë shumë shpejt, por shumë më herët sesa që edhe prognozuesit më optimistë do të mund ta parashikonin. Prandaj, si Kurti si Hoti, janë dy anë të së njëjtës monedhë politike, asaj të mashtrimit, e cila duhet të konfiskohet e ndëshkohet politikisht sa më parë që të jetë e mundur.
“Epoka e re”: Cila do të jetë mënyra e PDK-së si parti opozitare për ta kundërshtuar këtë qeveri?
Stavileci: Opozitarizmi ynë do të jetë model i një politikëbërjeje të re, i cili, nga njëra anë, do të prezantojë skema të mirëfillta ekonomike dhe sociale të rimëkëmbjes në dobi dhe për dobi të shtetit e qytetarëve tanë dhe, nga ana tjetër, do t’i shkojë deri në fund demaskimit të politikave populiste të atyre që marrin besimin qytetar duke e mashtruar pikërisht atë besim me retorika e simbolika boshe. Mashtruan popullin, mashtruan njëra-tjetrën. Hija e mashtruesve do t’i përcjellë deri në fund dhe nuk do të mund t’i ikin asaj. Kjo e bën më të lehtë udhëtimin tonë të ri politik opozitar ngase PDK-ja është e vërtetë se ashtu siç ka bërë punë të mira për vendin, ndonjëherë edhe ka bërë lëshime, por asnjëherë nuk ka mashtruar siç mashtruan Kurti dhe Hoti. Kjo qysh tani e bën diferencën në skenën tonë politike për të ardhmen e besimit qytetar. Ata nuk do të pranojnë të mashtrohen e të tradhtohen. Dhe ky sentiment i ri është një arsye shumë e madhe më tepër që sytë e tyre të kthehen nga Partia Demokratike e Kosovës dhe platforma e saj për rimëkëmbjen.