
PDK-ja në Gjilan kërkon dorëheqjen e Alban Hysenit
Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Gjilan, Riad Rashiti, ka kërkuar në emër të partisë dorëheqjen e kreut të komunës, Alban Hysenit.
Rashiti ka thënë se Hyseni ndaj të gjithëve e ka humbur luftën, madje po i lufton gratë profesioniste që kanë dije e guxim.
“Dorëheqja e kryetarit të komunës ka qenë dhe mbetet shpëtim për Gjilanin, këtë e kemi kërkuar nga viti i kaluar për shkak gjendjes së jashtëzakonshme që e ka sjellë ai komunën tonë, ku po mbretëron një tension i paparë brenda institucioneve komunale deri në akte të dhunës fizike për ndërhyrje militanteske të VV-së duke ia thyer cilindrin e zyrës saj, në drejtorinë e buxhetit ku menaxhohen 40 milion euro të qytetarëve të Gjilanit”, ka shkruar Rashiti në “Facebook”.
Ai madje ka përmendur gjithashtu edhe dorëheqjen e drejtoreshës së buxhetit, Herolinda Murati-Leka, duke thënë se është detyruar të jap dorëheqje nga pozita e saj, sepse nuk ka mundur të lejojë këtë ndërhyrje fizike të vrazhdë në vendin e saj të punës.
“Dorëheqja e kryetarit të komunës është një akt i duhur në këtë situatë të jashtëzakonshme të komunës së Gjilanit. Por duke e njohur karakterin e tij dhe mungesës së moralit politik dhe institucional të tij, kjo nuk ka ndodhë, e Gjilani do të vazhdojë me këtë katrahurë deri në zgjedhjet lokale, si momenti i largimit të tij nga qeverisja komunale”, ka përfunduar Rashiti.