PDK-ja në Prishtinë kundër që e diela të jetë ditë pushimi

04 mars 2020 | 14:22

Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prishtinë, Uran Ismaili, është shprehur kudër propozimit që e diela të jetë ditë pushimi në kryeqytet.

“Prishtina me dyer të mbyllura të dielën është mundësi që komunat afër Prishtinës si Graçanica të fillojnë të marrin fokus për investime. Për më tepër, Shkupi e Tirana do të presin me padurim ardhjen e kosovarëve në këto qytete”, ka shkruar Ismaili në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Ismailit:

Në Komunën e Prishtinës po mbahet diskutim publik për draft rregulloren për orarin e punës të veprimtarive afariste në Prishtinë. PDK Prishtinë është kundër propozimit për ndalim të veprimtarisë afariste ditëve të diela në kryeqytet.

Qyteti jonë gjatë qeverisjeve të ndryshme është dënuar me mungesë të vizionit për kryeqytet. Ka pasur mungesë të investimeve gjatë qeverisjeve të ndryshme të Prishtinës dhe rrjedhimisht qyteti ka mbetur me shumë pak mundësi për zhvillim.

As gjatë qeverisjes të LDK e LVV, e as sot, nuk kemi investime që e bëjnë Prishtinën qytet me parqe, me hapësira për të rinj, miqësor për të moshuar, e të shëndetshëm për të gjithë. Prishtina është qytet atraktiv për shkak të qytetarëve të Prishtinës, por jo pse qeverisjet e kanë ndihmuar apo mbështetur atë.

Dëshira për të kufizuar energjinë e ndërrmarrësisë të qytetarëve në jetën e Prishtinës ngulfatë edhe të vetmen energji që e ka mbajtur gjallë këtë qytet.

Kjo tentative e propozuar që Prishtina të paralizohet ditën e diel është tentativë për t’u shfajësuar para qytetarëve të Prishtinës për investimet e mirëfillta që na mungojnë çdo ditë në kryeqytet.

Prishtina me dyer të mbyllura të dielën është mundësi që komunat afër Prishtinës si Graçanica të fillojnë të marrin fokus për investime. Për më tepër, Shkupi e Tirana do të presin me padurim ardhjen e kosovarëve në këto qytete.

Komuna e Prishtinës duhet të investojë e të shtoj kontrollin që të gjithë punëtorëve t’u respektohet orari i punës dhe të zbatohen plotësisht të drejtat e tyre. Por kjo nuk nënkupton masa paralizuese që qojnë në mbylljen e bizneseve dhe humbjen e mijëra vendeve të punës.

Vendosja e masave radikale si kjo që po diskutohet sot nënkupton më pak vende pune për Prishtinën, më pak investime për Prishtinën, më pak zhvillim për Prishtinën. Kryeqytetit tonë edhe ashtu të varfër për nga investimet publike, të degraduar nga të gjitha qeverisjet, nuk është mirë t’i vihen masa radikale që ia dobësojnë konkurrueshmërinë kundrejt kryeqyteteve përreth.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të mërkurën dhe të enjten do të zhvillohen ndeshjet e…