PDK-ja në Prishtinë: Përparim Rama po synon ta falimentojë “Pastrimi”-n dhe t’i lë 900 punëtorë pa punë

04 dhjetor 2024 | 15:50

Partia Demokratike në Prishtinë përmes një konference për medie alarmoi për situatën e krijuar me menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet, e cila po bëhet e papërballueshme dhe e rrezikshme për qytetarët e Prishtinës.

Asamblistja e PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gresa Lahu, ka theksuar të mërkurën se përveç mungesës së shërbimeve në grumbullimin e mbeturinave, mungesë ka edhe te mekanizmat veprues, siç janë kamionët dhe kontinjerët.

Ajo ka thënë se udhëheqësit komunal në krye me Përparim Ramën dhe drejtorin e DSHP-së, Bekim Brestovcin, kanë tendencë të shtyjnë përpara vendime që jo vetëm e dëmtojnë xhepin e qytetarëve dhe buxhetin e komunës, por në mënyrë direkte dhe të pakthyeshme i dëmtojnë edhe rreth 900 punëtorë të ndërmarrjes publike, duke i lënë ata të pa punë dhe duke e falimentuar ndërmarrjen “Pastrimi”, gjë që do të krijonte krizë socio-ekonomike në rreth 900 familje.

Ndërsa, Granit Geci, asamblisti tjetër i PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ka shprehur shqetësimin e tij në mungesën e vullnetit dhe mbështetjen e Komunës së Prishtinës ndaj ndërmarrjes publike, e cila operon në kushte të vështira, gjendje kjo e krijuar qëllimshëm nga Komuna e Prishtinës, që t’ia japë më lehtë tenderin prej 16.5 milionë eurosh operatorit privat në këtë veprimtari publike.

Kjo gjendje me menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë, sipas tij, është e qëllimshme që të favorizohet operatori privat, duke mos e harruar as faktin që Komuna e Prishtinës tash e tri vite nuk e ka blerë as edhe një kamion të vetëm për ndërmarrjen publike dhe po i ruan kontinjerët e rinj për t’ia ofruar operatorit privat.

Asamblistët e PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës do të ushtrojnë të drejtën e tyre në Plotësim/ndryshimin e Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave dhe i kanë ftuar të gjithë asamblistët e tjerë ta mbështesin rregulloren, e cila ka për qëllim përmirësimin e situatës me mbeturinat në kryeqytet.

Ata i kanë bërë thirrje edhe kryetarit Përparim Rama, që urgjentisht ta bëjë shpërndarjen e kontinjerëve, të investojë në kamionë të rinj dhe të anulojë tenderin 16 milionësh, i cili rrezikon grantin e KFW-së në vlerë mbi 70 milionë euro, marrëveshje kjo që do të garantojë një zgjidhje afatgjate për përmirësimin e gjendjes në kryeqytet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka…