PDK-ja në Prizren kritikon Haskukën për mungesë të transparencës

10 janar 2020 | 14:30

Dega e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK) në Prizren, ka vlerësuar se kryetari i kësaj komune, i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka, ka mungesë të transparencës në punën e tij.

“Një ndër indikatorët më të rëndësishëm të performancës, për çdo lloj aktiviteti përfshirë këtu edhe qeverisjen lokale dhe kryetarin e komunës, z. Mytaher Haskuka, është edhe transparenca. Mungesa e transparencës në fakt do të thotë mungesë e informacionit, lidhur me atë se çka po ndodh në këtë rast në pushtetin lokal në Prizren. Dhe kur ka mungesë informacioni, është e natyrshme të ketë rënie të besimit në qeverisjen lokale, e cila kishte premtuar shumë, por tek e fundit fare pa premtuar, transparenca është edhe obligim ndaj qytetarëve dhe opinionit publik”, është thënë në reagimin e Degës së PDK-së në Prizren.

Sipas kësaj dege, niveli i transparencës është matur nga shoqëria civile dhe është bazuar në disa shtylla vlerësuese, duke përfshirë transparencën në zyrën e kryetarit, Kuvendin Komunal, financat komunale si dhe transparencën në konsultim me publikun.

“Vlen të përkujtohet se kryetari në fushatë ka proklamuar konceptin ‘transparencë radikale’ nga i cili jemi shumë larg”, është thënë në këtë reagim të degës së PDK-së në Prizren.

Më tutje, në këtë reagim, PDK-ja ka prezantuar edhe disa argumente të cilat sipas tyre dëshmojnë mostransparencën e kryetarit Haskuka.

“Në fillim të qeverisjes nga ky pushtet, mbledhjet e bordit të drejtorëve, kanë qenë të mbyllura për publikun dhe për këtë ka pasur reagime edhe nga rrjeti i OJQ-ve, medieve dhe organizatat që i përcjellin mbledhjet e bordit të drejtorëve. Kurse tani fare nuk mbahen mbledhjet e bordit të drejtorëve, që tregon se z. Haskuka, nuk është transparent as ndaj bashkëpunëtorëve të tij të afërm. Seancat e Kuvendit Komunal ka kohë që nuk transmetohen fare për opinionin publik. Qasja në dokumentet zyrtare, e cila është e rregulluar me ligj, ku pas çdo kërkese, në një afat prej 7 ditësh, duhet të ketë një përgjigje, ka shumë raste kur qytetarëve, iu është refuzuar qasja në dokumentet zyrtare, edhe pse ligji ua garanton një të drejt të tillë”, është thënë ndër të tjera në këtë reagim.

Po ashtu, Dega e PDK-së në Prizren ka përmendur edhe punësimet  në Drejtorinë e Arsimit dhe në atë të Shëndetësisë, të cilat sipas kësaj degë që drejtohet nga Shaqir Totaj janë misterioze. “Flitet që mbi 5 milionë euro janë suficit nga viti 2019, mirëpo për shkak të mungesës së transparencës, akoma nuk ka detaje rreth kësaj çështje të rëndësishme. Sapo të kemi informacione të sakta dhe të zyrtarizohet kjo shifër, Dega e PDK-së në Prizren, do ta mbaj një konferencë, enkas për çështjen në fjalë”, është theksuar në reagimin e PDK-së në Prizren.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Safet Kamberi, së bashku…