PDK-ja në Prizren reagon pas ftesës së Speciales për Nezir Çoçajn
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prizren ka reaguar pas lajmit se kandidati për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit, Nezir Çoçaj, është ftuar për intervistim nga Gjykata Speciale.
“Si e gjithë UÇK-ja që është në shënjestër të orkestrimeve, këto ditë po sfidohet edhe PDK-ja, përkatësisht kandidati i kësaj partie për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit. Andaj, mbështetur në situatën, Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prizren mbështet fuqimisht kandidatin e saj z. Nezir Çoçaj në këto ditë, kur po tentohet që të njolloset figura e tij”, është thënë në komunikatën e degës së PDK-së në Prizren.
Sipas degës së PDK-së në Prizren, Nezir Çoçaj, dje në luftë ishte luftëtar i dalluar i UÇK-së, pas luftës u angazhua në forcimin e shtetit, në institucionet e Republikës së Kosovës, duke e fituar dy herë besimin e popullit për deputet në Kuvendin e Kosovës.
“Shpresojmë se edhe këtë herë do ta fitojë besimin e popullit për të qenë në vijën e parë për ta mbrojtur në mënyrë institucionale luftën e drejtë të UÇK-së dhe vlerat e luftës në përgjithësi. Nezir Çoçaj, duke qenë për shumë vite udhëheqës i Institutit Pedagogjik të Kosovës, ka kontribuar shumë në fushën e arsimit, meqë edhe synimi i tij është për një arsimim të shëndoshë dhe gjithëpërfshirës. Ai ka ndihmuar shumë në jetësimin e kurikulës së re të arsimit, duke qenë pjesë aktive e hartimit të kësaj kurikule me standarde evropiane”, është theksuar në këtë komunikatë, duke shtuar se sfidat për Çoçajn dhe për PDK-në, nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë asnjëherë pengesë për zbatimin e amanetit të dëshmorëve dhe heronjve të Kosovës.