PDK-ja nuk bën më kompromise për pozitën e kryeministrit

06 gusht 2019 | 14:28

Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka bërë me dije se kjo parti më nuk do të bëjë kompromise për pozitën e kryeministrit.

Ai ka deklaruar se kjo parti në dy mandatet e fundit ka lëshuar pe rreth kësaj pozite duke menduar se edhe partitë e tjera duke e udhëhequr ekzekutivin mund të marrin vendime të mëdha.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Hoxhaj ka thënë se në vitet e fundit kanë treguar se vetëm një qeveri e udhëhequr nga PDK-ja mund ta përmbyllë procesin e shtetndërtimit.

“Absolutisht jo. Mendoj se në të kaluarën kompromise të tilla PDK-ja ka bërë me idenë që ta përmbyllim shtetndërtimin e Kosovës, mirëpo historia në vitet e fundit ka treguar se Kosova mund t’i përmbyllë temat e mëdha dhe mund të marrë vendime të mëdha vetëm nëse PDK-ja është e madhe dhe nëse Qeveria e Kosovës udhëhiqet nga kryetari i PDK-së, z. Veseli. Këtu ka një qartësi të plotë në PDK”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka vlerësuar se pa rolin vendimtar të kësaj partie nuk mund të mbyllet faza e shtetndërtimit të Kosovës.

“Ne duhet ta përmbyllim shtetndërtimin e Kosovës. Faza në të cilën është aktualisht Kosova nuk mund ta gjejë fundin e saj dhe përmbylljen e saj pa rolin vendimtar që ka PDK-ja si partia më e madhe në vend”, ka deklaruar Hoxhaj. Ai është shprehur i bindur se nga zgjedhjet e parakohshme kjo parti do të dalë fituese dhe kryeministër i ardhshëm i Kosovës do të jetë lideri i PDK-së, Kadri Veseli.

Hoxhaj ka treguar se parimisht PDK-ja duhet të shkojë e vetme në zgjedhjet të cilat pritet të mbahen në vjeshtë.

“Mendoj se ky është një vendim që i takon kryetarit dhe kryesisë së PDK-së. Deri më tani nuk kemi pasur një debat të tillë, por parimisht mendojmë se duhet të shkojmë të vetëm në këto zgjedhje, ndoshta me ndonjë bashkëpunim me ndonjë subjekt më të vogël. Mirëpo, siç thashë, këto janë çështje që i takojmë kryesisë së PDK-së. Koalicioni i vetëm që ne kemi në këto zgjedhje është koalicioni me qytetarët e Kosovës, diçka që historikisht PDK-ja ka bërë edhe në të kaluarën”, është shprehur Hoxhaj.

“Epoka e re”: Z. Hoxhaj, kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që më 22 gusht të shpërndahet Kuvendi. Cili është qëndrimi i PDK-së për këtë çështje?
Hoxhaj: Qëndrimi i PDK-së rreth kësaj çështje është qartësuar para disa ditësh, kur kryetari i Kuvendit mori vendim ta ftojë kryesinë e Kuvendit me një pikë të vetme të rendit të ditës, që ishte shpërndarja e kësaj legjislature. Ne kemi vlerësuar se nuk mund të ketë një qasje të blerjes së kohës, nuk mund të ketë një vakum institucional dhe nuk mund të ketë një arnim të qeverisë. Pra, një lloj qeverie e cila nuk do të ishte në gjendje që t’i përmbyllë pritjet që i ka qytetari i Kosovës. Si çdoherë, PDK-ja është parti e cila përcakton dinamikën në këtë vend. Ne kemi vendosur që ta ftojmë kryesinë e Kuvendit për ta caktuar këtë datë. Në këtë mënyrë mendoj se zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejt. Tani i takon presidentit që ta caktojë datën e zgjedhjeve.

“Epoka e re”: Nëse Kuvendi shpërndahet më 22 gusht, sipas afatit kushtetues, i bie që zgjedhjet mund të mbahen në fund të shtatorit apo në fillim të tetorit. Për PDK-në, cila do të ishte koha më e mirë e mbajtjes së zgjedhjeve?
Hoxhaj: Caktimi i datës së mbajtjes së zgjedhjeve i takon presidentit të vendit. Ai këtë mund ta caktojë në bashkëpunim me të gjitha subjektet politike. Ne si PDK jemi të gatshëm për këto zgjedhje. PDK-ja është parti që ka përmbyllur  procesin e brendshme zgjedhor, ku rreth 50 mijë anëtarë të PDK-së kanë marrë pjesë në këtë proces në nivel të degëve dhe nëndegëve. Kështu që, ne jemi të gatshëm edhe në kuptimin organizativ, por edhe në kuptimin përmbajtjesor se çfarë do të duhet të prezantojmë në këto zgjedhje. Caktimi i datës i takon presidentit të vendit.

“Epoka e re”: Cilat janë pritjet e PDK-së për këto zgjedhje?
Hoxhaj: Pa dyshim ne jemi partia më e madhe në vend. Jemi parti që në këta 20 vjet të lirisë dhe në këta 11 vjet të pavarësisë e ka trashëgiminë më të madhe  politike, me rezultate konkrete. Në zgjedhje ne nuk do të flasim për histori, por do të flasim për aktualitetin, për pritjet që i kanë qytetarët dhe për temat që janë shqetësimet kryesore të qytetarëve. Do të kemi një platformë jashtëzakonisht të mirë dhe koncize, e cila i përshkruan pritjet që i ka qytetari i Kosovës. Besoj se para se të fillojë fushata zgjedhore do ta prezantojmë një platformë të tillë, ku do të shohin qytetarët se çka pret PDK-ja prej këtyre zgjedhjeve. Paraprakisht dua të them se ne duhet ta përmbyllim shtetndërtimin e Kosovës. Faza në të cilën është aktualisht Kosova nuk mund ta gjejë fundin e saj, përmbylljen e saj, pa rolin vendimtar që ka PDK-ja si partia më e madhe në vend.

“Epoka e re”: A e keni menduar se si do të shkojë PDK-ja në këto zgjedhje? Me ndonjë koalicion parazgjedhor apo e vetme?
Hoxhaj: Mendoj se ky është një vendim që i takon kryetarit dhe kryesisë së PDK-së. Deri më tani nuk kemi pasur një debat të tillë, por parimisht mendojmë se duhet të shkojmë të vetëm në këto zgjedhje, ndoshta me ndonjë bashkëpunim me ndonjë subjekt më të vogël. Mirëpo, siç thashë, këto janë çështje që i takojmë kryesisë së PDK-së. Koalicioni i vetëm që ne kemi në këto zgjedhje është koalicioni me qytetarët e Kosovës, diçka që historikisht PDK-ja ka bërë edhe në të kaluarën.

“Epoka e re”: Mund të pritet që sërish, për shkak të ndonjë koalicioni, PDK-ja të lëshojë pe për postin e kryeministrit siç ka ndodhur herën e fundit?
Hoxhaj: Absolutisht jo. Mendoj se në të kaluarën kompromise të tilla PDK-ja ka bërë me idenë që ta përmbyllim shtetndërtimin e Kosovës, mirëpo historia në vitet e fundit ka treguar se Kosova mund t’i përmbyllë temat e mëdha dhe mund të marrë vendime të mëdha vetëm nëse PDK-ja është e madhe dhe nëse Qeveria e Kosovës udhëhiqet nga kryetari i PDK-së, z. Veseli. Këtu ka një qartësi të plotë në PDK.

“Epoka e re”: Domethënë në këtë pikë PDK-ja më nuk bën asnjë kompromis?
Hoxhaj: Mendoj se isha mjaft i qartë në përgjigje.

“Epoka e re”: Meqenëse nuk janë përmbyllur temat e mëdha në këto dy mandate, a do të thotë se PDK-ja i ka rënë pishman që ua ka dhënë pozitën e kryeministrit LDK-së dhe AAK-së?
Hoxhaj: Nuk mendoj se vlerësimet e tilla morale vlejnë shumë në politikë. Ajo se çfarë ne kemi menduar se është e drejtë, është se për idenë e shtetndërtimit të Kosovës çdoherë kemi kërkuar partneritet me parti të cilat mund t’i përmbyllim vendimet e mëdha. Por, nga viti 2014 e kemi parë që vetëm nën udhëheqjen e  PDK-së, dhe kjo është tradita jonë, qeveritë mund të marrin vendime të mëdha. Pra, vetëm nën udhëheqjen e PDK-së qeveritë kanë dinamikë. Këtu nga ana jonë është më se e qartë se kryetari i PDK-së do të jetë edhe kandidati ynë për kryeministër, dhe z. Veseli do të jetë kryeministër i ardhshëm i vendit.

“Epoka e re”: Gjatë kësaj qeverie keni qenë zëvendëskryeministër. Kjo qeveri i ka përmbushur objektivat e PDK-së?
Hoxhaj: Mendoj se disa prej vendimeve të cilat i kemi marrë kanë qenë në shërbim të qytetarëve të Kosovës, ndërsa një vlerësim të përgjithshëm do ta thosha në fund të vitit nëse qeveria do të qëndronte deri në dhjetor.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka bërë…