PDK-ja nuk ‘trembet’ nga sondazhet, Tahiri: Kurti t’i përgjigjet ftesës sonë që zgjedhjet të mbahen më 9 qershor

07 prill 2024 | 15:23

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së tyre që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 9 qershor.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri nuk ka deshur t’i komentojë sondazhet e publikuara së fundmi, por  ka përsëritur thirrjen për zgjedhje të parakohshme.

“Sondazhet janë sondazhe, por zgjedhjet janë ato që përcaktojnë fatin e një qeverie. Ne i bëjmë thirrje edhe kryeministrit Kurti edhe qeverisë së Lëvizjes Vetëvendosje që të mos frikësohen dhe t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Partisë Demokratike ashtu siç kemi kërkuar që më 9 qershor të organizohen zgjedhjet e parakohshme në Republikën e Kosovës”, ka thënë Tahiri në një konferencë për medie.

Ai ka thënë se zgjedhjet nevojiten “për nxjerrjen e vendit nga kriza” dhe nga sanksionet.

“Ne nuk kemi as edhe një dyshim, po them as edhe një dyshim: mandatari i cili do ta themelojë qeverinë e re të Republikës së Kosovës do të jetë mandatari i Partisë Demokratike, zoti Bedri Hamza”.

“Ne konsiderojmë që vendimi ynë është që t’i propozojmë vendit që të shkojmë në zgjedhje më 9 qershor. Është vendim i drejtë, është një vendim i cili çon në krijimin e një qeverie të re, dhe ajo e qeveri e drejtuar nga kryeministri Bedri Hamza do ta nxjerrë vendin nga kjo krizë ekonomike e cila e ka kapluar vendin tonë dhe në anën tjetër, do të na nxjerrë nga sanksionet që na janë vënë nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester City dëshiron ta shpërblejë Rodri me një rritje masive…