PDK-ja: Papërgjegjësia e komunës ka lënë qytetarët e Fushë Kosovës pa ujë të pijshëm
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Fushë Kosovë, Rrahim Ternava, ka thënë se neglizhenca dhe papërgjegjësia e komunës, tash e 20 vite ka lënë qytetarët pa ujë të pijshëm. Këto kritika në drejtim të Komunës së Fushë Kosovë, Ternava i bëri gjatë një takimi me kryeshefin e KUR Prishtina, Ilir Avdullahu, ku diskutuan rreth problemit me ujë të qytetarëve të kësaj komune.
Kryetari i PDK-së në Fushë Kosovë, Rrahim Ternava, ka thënë se qytetarët deri më tash janë ndjerë të diskriminuar.
Ai ka theksuar se PDK-ja do të angazhohet fuqishëm që projekte si ky të mos zvarriten. “Kjo situatë është e papranueshme dhe diskriminuese për qytetarët e Fushë Kosovës. Komuna tash e 20 vite ka lënë pa ujë qytetarët e vet, për shkak të papërgjegjësisë që i shquan. Ne si opozitë në këtë komunë do të jemi zë i fortë që projekte të tilla t’i shtyjmë përpara dhe nuk do të lejojmë që neglizhencën e komunës ta vuajnë qytetarët”, ka thënë Ternava.
Edhe kryeshefi ekzekutiv i KUR Prishtina, ka thënë se mjetet financiare janë bërë shkak i vonesave për shtrirjen e ujësjellësit. “Mosgatishmëria e Komunës për përkrahje financiare dhe ofrimi i kushteve tjera, ka bërë që implementimi i këtij projekti të shtyhet, por ne jemi të gatshëm dhe shumë shpejt do të finalizohet ky projekt”, është shprehur Abdullahu.
Fushë Kosova është pothuajse e vetmja komunë ku një pjesë e qytetit nuk ka furnizim të ujit të pijshëm, ndërkaq sistemi i ujësjellësit tek tash ka arritur në fazën finale.