PDK-ja paralajmëron formimin e “Qeverisë në hije”
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku ka paralajmëruar se partia më e madhe opozitare shumë shpejt do ta formojë kabinetin e “Qeverisë në hije”.
Çitaku ka deklaruar se me kabinetin e “Qeverisë në hije”, PDK-ja do të ofrojë alternativa për problemet të cilat i preokupojnë qytetarët e Kosovës. “Përmes këtij kabineti, PDK-ja nuk do të jetë vetëm kritikuese për qeverinë aktuale, por do të ofrojë edhe alternativa si zgjidhje të qëndrueshme për probleme të ndryshme”, është shprehur Çitaku.
Më tutje, ajo ka thënë se PDK-ja i jep mbështetje qeverisë në përmbylljen e dialogut me Serbinë. Në këtë kontekst, ajo ka kërkuar që pozita dhe opozita të jenë bashkë kur është në pyetje politika e jashtme e Kosovës.
Pas zgjedhjeve të vitit 2004, PDK-ja kishte mbetur në opozitë, ndërsa LDK-ja dhe AAK-ja kishin bërë marrëveshje për bashkëqeverisje. Në qershor të vitit 2005, PDK -ja kishte formuar kabinetin e qeverisjes së mirë e njohur edhe si “Qeveria në hije”.
Kabineti që drejtohej nga Hashim Thaçi përbëhej nga 14 departamente prej të cilave dy drejtoheshin nga shoqëria civile, ndërsa të tjerat nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).