PDK-ja paralajmëron kallëzime penale për KEK-un dhe ZRrE-në
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka paralajmëruar kallëzime penale për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZrrE).
Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, në seancën e Kuvendit, ka thënë se ZRrE-ja do të përballet me një kallëzim penal nga kjo parti.
Arsyeja e kallëzimit penal ndaj ZRrE-së, sipas tij është për faktin se ka lënë në mënyrë të jashtëligjshme të operojnë operatorë pa licencë të shesin energji elektrike në Kosovë.
“Ne si grup parlamentar, padyshim jemi duke i nxjerr të gjitha gjetjet dhe jemi duke përgatitur një kallëzim penal ndaj ZRrE-së që ka lënë në mënyrë të jashtëligjshme të operojnë operatorë pa licencë të shesin energji elektrike në vendin tonë. ZRrE-ja do të ballafaqohet me një kallëzim penal nga grupi parlamentar”, ka thënë Tahiri.
Më tutje, Tahiri ka theksuar se kallëzim penal do të bëjnë edhe për KEK-un për shkak se sipas tij, po bën shpronësim të taksave të qytetarëve të Kosovës dhe atë pa dhënë shpjegime.
“Po ashtu, si grup parlamentar jemi duke përgatitur kallëzim penal edhe ndaj KEK-ut, që bën shpronësim taksave të e qytetarëve të Kosovës pa dhënë shpjegime të qarta se cila ka qenë baza ligjore dhe çka i ka dhënë atij drejtë që në mënyrë vullnetare t’i dalin ato mjeta nga xhirollogaria e KEK-ut, që vendosen prej Ministrisë së Energjetikës, qeverisë, në xhirollogarinë e KEK-ut dhe pastaj t’i shkojnë direkt KESCO-s”, tha Tahiri.