PDK-ja për planin për ‘Kalabrinë’: S’kemi votë për kontrabandim të pronës publike
Partia Demokratike në Prishtinë (PDK) ka ripërsëritur qëndrimin e saj kundër planit për lagjen “Kalabria”. Në konferencën për medie të premten, PDK-ja ka deklaruar se nuk do ta votojë planin për këtë lagje.
Asamblisti i kësaj partie, Leutrim Retkoceri, ka thënë se me anë të këtij plani rreth 15 hektarë tokë publike po vihen në shërbim të ndërtuesve.
“Ky plan ka për qëllim tjetërsimin e pronës publike me ndërtime të larta. Prapë mbi 15 hektar pronë publike po vihet në shërbim të ndërtuesve. PDK-ja nuk ka votë për kontrabandim të pronës publike në kurriz të banorëve”, është shprehur Retkoceri.
Ai ka thënë se PDK-ja do ta përkrahë një plan për këtë lagje, vetëm atëherë kur do të sillet një plan siç ka theksuar ai, për interesa të qytetarëve dhe jo për interesa të ndërtuesve.