PDK-ja përkujton Adem Demaçin
Partia Demokratike e Kosovës ka përkujtuar simbolin e rezistencës kombëtare Adem Demaçi.
Në tre-vjetorin e vdekjes së veprimtarit të madh të çështjes kombëtare, PDK-ja ka bërë me dije se Kosova ka humbur kolosin e rezistencës kombëtare dhe luftëtarin e paepur për lirinë e mendimit.
“Tri vite më parë, Kosova humbi kolosin e rezistencës kombëtare, luftëtarin më të paepur për lirinë e mendimit, mbrojtësin më të madh të të drejtave të njeriut, njeriun më revolucionar të shqiptarisë, Adem Demaçin. Siç e pasqyronte jetën e tij në veprën ‘Dashuria kuantike e filanit’, Baca ishte simbol i pashembullt i vetëmohimit për çështjen kombëtare. Adem Demaçi mbetet në kujtesën kolektive si njeriu i pathyeshëm, të cilin nuk e mposhtën as tri burgjet e vuajtura, as persekutimi sistematik. Ai e tejkaloi vetëveten për t’u bërë dritë në rrugën e popullit të Kosovës drejt lirisë. Vepra unike e Bacës do të jetë përherë drita e këtij populli!”, është thënë në njoftimin për medie të PDK-së.