PDK-ja pezullon punën këtë javë në Kuvend
Deputeti dhe sekretari organizativ i PDK-së, Abelard Tahiri në një konferencë për media ka njoftuar se Grupi Parlamentar i PDK-së do ta pezulloj aktivitetin e saj këtë javë në Kuvendin e Kosovës.
Tahiri ka thënë se ky vendim që nuk lidhet me punën e drejtësisë por për nevojën e një solidariteti, është marrë pas zhvillimeve të fundit me arrestimin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i zgjedhur nga Kuvendi; Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish kryetar i këtij Kuvendi; Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Social Demokrate, Jakup Krasniqi, ish kryetar i këtij Kuvendi; si dhe Rexhep Selimi, Shef i Grupit më të madh opozitar aktualisht, brenda këtij Kuvendi.
Ai ka kërkuar reflektim solidar edhe nga partitë e tjera politike që veprojnë në kuvend.
Kjo është deklarata e tij e plotë për media:
Kosova si shtet dhe shoqëria jonë si bashkësi, janë duke kaluar një rrethanë aspak të zakonshme, për të mos thënë të jashtëzakonshme. Që nga e hëna, dje, si dhe sot, në Hagë janë paraqitur si të akuzuar për krime lufte, drejtuesit kryesor të luftës sonë për liri dhe pavarësi. Ndër ta, Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, i zgjedhur nga ky Kuvend. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, z. Kadri Veseli, ish kryetar i këtij Kuvendi. Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Social Demokrate, z. Jakup Krasniqi, ish kryetar i këtij Kuvendi. Si dhe sot, Rexhep Selimi, Shef i Grupit më të madh opozitar aktualisht, brenda këtij Kuvendi.
Për këtë fakt, ky zhvillim natyrisht se prekë traditën e Kuvendit, nëse jo për ndonjë angazhim specifik, së paku për një reflektim solidar. Dhe ne si Parti Demokratike e Kosovës, përballë këtij zhvillimi, kemi nevojë për reflektim solidar, duke e shtyrë prezencën tonë për një javë, në zhvillimin e zakonshëm të agjendës së këtij kuvendi. Pra, gjatë kësaj jave, PDK-ja nuk do të marrë pjesë në agjendën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Ky akt nuk lidhet me zhvillimet që i përkasin drejtësisë, por me nevojën tonë të brendshme për sensibilizim, sepse ne konsiderojmë se para se të sillemi me agjende të zakonshme siç po ndodhë, na duhet reflektim dhe unitet, përballë këtyre zhvillimeve të pazakonshme.
Të nderuar gazetarë,
Zhvillimet e fundit, natyrisht se kanë pasur një efekt të rëndë edhe në rrafshin socio politik, edhe në atë institucional. Për më tepër, ato kanë prekur edhe rrafshin e kujtesës sonë kolektive, si provokim për shtrembërimin e të vërtetës që e dimë të gjithë.
Sot, duam ta ritheksojmë edhe një herë, se Partia Demokratike e Kosovës, beson fuqishëm në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në kauzën e saj për çlirimin nga regjimi shtypës i Sllobodan Milloshevicit.
Ne besojmë se që nga pjesëtari i parë i UÇK-së, e deri tek ata që iu bashkëngjitën të fundit kësaj kauze, të gjithë pa përjashtim, e kanë pasur një dhe vetëm një qëllim, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ne besojmë se që nga dëshmori i parë i UÇK-së, e deri tek dëshmori i fundit i saj, të gjithë pa përjashtim, e kanë dhënë jetën mbi një dhe një motiv e qëllim të vetëm, çlirimin e Kosovës nga Serbia. Ne e kemi të qartë se që nga viktima e parë e regjimit të Milloshevicit, e deri tek viktima e fundit e atij regjimi, të gjithë kanë qenë njerëz të pafajshëm, të cilët janë edhe sot e kësaj dite, dhembja jonë kolektive, mbi të cilët peshon liria dhe shteti ynë.
Ne besojmë se kauza jonë e drejtë për liri, dhe orientimi ynë i qartë demokratik e perëndimor, janë bashkuar në angazhimin e përbashkët të NATO ‘s, SHBA-së, Bashkimit Evropian dhe UÇK-së, për ta arritur lirinë që kemi sot.
Ne pra, besojmë se historinë e luftës sonë të drejtë për çlirim, dhe sakrificën tonë kombëtare për liri, nuk mund ta ndryshojë dhe cenojë askush dhe asgjë, as sot dhe asnjëherë.
Pavarësisht përpjekjeve që i kemi parë në vazhdimësi, dhe siç po i shohim edhe sot e kësaj dite në Serbi dhe Rusi, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë dhe s’ka për të ndodhur kurrë.
Por natyrisht, se Partia Demokratike e Kosovës, e njeh konceptin e drejtësisë dhe përgjegjësisë përballë saj. E njeh ballafaqimin me drejtësinë, pavarësisht se sa rëndon ajo. E njeh dhe e ka njohur gjithmonë bashkëpunimin me drejtësinë, si të vetmen alternativë për ta zbardhur të vërtetën, kurdo që shtrohet si nevojë.
Prandaj, ne kemi besim në drejtësinë e paanshme.
Shpresojmë në profesionalizmin, paanshmërinë dhe integritetin e Dhomave të Specializuara, dhe presim një përfundim sa më të shpejtë të proceseve gjyqësore. Megjithatë, ne nuk do të komentojmë më tej rreth punës së Dhomave të Specializuara. Kemi shumë çështje të rrafshit politik që na presin dhe për të cilat e kemi obligim ndaj votuesve tanë, ndaj shoqërisë tonë në përgjithësi dhe ndaj shtetit tonë në veçanti.
Ndërkohë që deri në rikthimin tonë në agjendën e zakonshme në Kuvendin e Kosovës në javën e ardhshme, mirëpresim një reflektim solidar edhe nga bartësit e institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës.