PDK-ja propozimin e Isa Mustafës për çështjen e presidentit do ta diskutojë në kryesi
Në mbledhjen e ardhshme të kryesisë së PDK-së do të vendoset edhe për përgjigjen që do t’i japë partia për ftesës kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, për bisedime lidhur me postin e presidentit të vendit.
Kështu ka bërë të ditur deputetja e kësaj partie Blerta Deliu, e cila tha se vendi nuk duhet të mbetet në vakuum për një pozitë kaq të lartë të shtetit.
“Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij pozicioni dhe se vendi nuk duhet të ketë një vakuum institucional sa i përket një pozite kaq të rëndësishme, sidomos në rrethanat që po kalon Kosova. Është shumë me rëndësi për stabilitetin e vendin, institucionet e Kosovës që ky vend duhet të qartësohet dhe të ketë dakordësi”, tha ajo.
Deliu tha se në partinë e saj ka shumë emra që e meritojnë të jenë në krye të Presidencës edhe për përvojën politike që e kanë pasë më herët – megjithëse nuk përmendi ndonjërin.
“Në PDK kemi shumë emra të rëndësishëm dhe figura të spikatura që kanë pasë një rol të rëndësishëm për rrugëtimin e shtetit. Por, duhet të ketë një dakordësi dhe që ai person të paraqet në radhë të parë një konsensus shoqëror. PDK-ja ka shumë emra që mund të bartin këtë pozitë të rëndësishme. Pra, për një pozitë të tillë kushtetuese nevojitet që të ketë një qartësi dhe koordinim në mes forcave politike që të merren votat në parlament”, tha Deliu-Kodra.
Por, a mund ta mbështetë PDK-ja kandidaturën e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt?
“Ne respektojmë vullnetin e secilit, përfshirë edhe të Haradniajt, por edhe për të duhet të ketë qartësi se cila do të jetë mbështetja që ka brenda parlamentit”, tregoi ajo.
Deliu në Klan ka thënë se zëvendëskryeministri Driton Selmanaj së paku duhet të kërkojë falje për deklaratën, siç tha ajo, të pamatur mbi çështjen e të pagjeturve. Por, për debatin që patën në Kuvend deputetët e Vetëvendosjes dhe të LDK-së, ajo tha se ndodhi krejt ajo e kundërta që thanë këto dy parti.
“Kemi parë dy forca politike që proklamuan një qeveri të shpresës dhe në fund pati kacafytje për çështjen më të ndjeshme të shoqërisë kosovare. Edhe unë kam ende shumë familjarë të pagjetur. Edhe unë jam ndjerë e rënduar nga përfaqësues të qeverisë që janë të obliguar të jenë pjesë e diskursit. Ajo që më së paku i ka shkuar pamjes së Parlamentit ka qenë edhe kjo prej atyre që kanë mashtruar me votën e qytetarëve.
Edhe Selmanaj duhet t’i respektojë plagët e rënduara të familjeve që kanë përjetuar dhimbje dhe kanë ende varre të hapura. As ne kur ishim në institucione s’kemi arritur të bëjmë sa duhet. Më e pakta që mund të bëjë Selmanaj është që të jetë afër dhe të angazhohet që të punojë më shumë për kthimin e personave të pagjetur. Selmanaj duhet të jetë i vetëdijshëm dhe ta trajtojë me seriozitet. Ai duhet t’i kërkojë falje Bogujevcit dhe familjeve që u ndien të ofenduara nga një deklaratë e pamatur. Kjo është më e pakta që mund të bëjë, por pse jo edhe të largohet nga kjo pozitë. Duhet të jetë në moralin e një politikani”, bëri me dije ajo.